Firmat e Edvinit shkojnë me përmbarues të blerë për të prishur shtëpitë e tiranasve në rrugën “Mine Peza”
Duke i skaduar ora e shpërdorimeve të pushtetit, sekserët e Edvinit po shpejtonë të gllabërojnë troje ku të munden e pa mbështetje ligjore. Dy ditë më parë, me ortakërinë e përmbaruesit të pamandatuar Fatos Alimadhi, njerëzit e Ramës kanë tentuar të prishin 4 shtëpi në Rrugën “Mine Peza”, edhe pse kontesti pronësor është ende në shqyrtim në Gjykatën e Lartë
Orës së Bashkisë së Tiranës dhe të sekserëve që gjallojnë rrotull saj duket se po i mbaron karburanti, prandaj edhe sjelljet e segmenteve finale të kësaj strukture korruptive - atyre pseudoinstitucioneve që do t’u duhet të përballen me terrenin – janë gjithmonë e më arrogante e të palogjikshme. Krejt ky nxitim e kjo sjellje antiligjore ka spikatur dy ditë më parë në aksionin donkishotesk e vetmitar të një përfaqësuesi të zyrës së Përmbarimit të kryeqytetit, i cili pa vendime të mirëfillta, ka kërkuar të udhëheqë operacionin e prishjes së disa ndërtesave të vjetra tiranase, për llogari të një ndërtimi të ri, që kishte marrë mandatin e Edvinit. Ky zyrtari i përmbarimit të kryeqytetit ka tentuar të nxjerrë në rrugë të madhe katër familje me 16 anëtarë, bazuar mbi një vendim të Gjykatës së Apelit, i cili është ankimuar në Gjykatën e Lartë. Përfaqësuesi i Përmbarimit ka shkuar fillimisht për të prishur banesën e familjes Hysa. Duke shpërfillur vendimet gjyqësore dhe konfirmimin se çështja tashmë ndodhet në Gjykatën e Lartë, përmbaruesi Fatos Alimadhi ka pretenduar thuajse një vetëgjyqësi, me sa duket, meqenëse ka qenë fort i përfshirë që të gjejë sa më shpejt një trull për ndërtimin e ri të bashkisë së Edvinit.
E vërteta është se verdikti që pretendohet të zbatohet prej Përmbarimit të kryeqytetit tashmë ndodhet për rekurs në Gjykatën e Lartë, e cila pritet të japë vendimin për pezullimin, sapo ajo të rinisë shqyrtimin e dosjeve me 1 shtator, por Edvini dhe sejmenët e tij, të shpërndarë kudo, si njerëz që i dinë mirë këto kleçka, deklaruan dje për tiranasit e vjetër të Rrugës “Mine Peza” se do të kthehen aty sërish me 2 shtator, me shpresë se Gjykata s’do ketë mundur ta administrojë dosjen e atëhere rruspave të Edvinit do t’u çelej një shteg ligjor.
Rahman Hysa, njëri prej banorëve që rrezikon të mbetet pa strehë ka vënë në dispozicion të medias të gjitha dokumentet që disponon, madje duke vënë në dukje mangësitë e secilit prej tyre, përfshi këtu urdhrin e përmbaruesit Alimadhi për ekzekutim vullnetar, në të cilin mungon nënshkrimi i kreut të Përmbarimit të Tiranës. “Gjithçka ka nisur më 27 shkurt 2002, thotë ai, kur Sute Hysa, e cila është pronare e një trualli prej 177 metër/katrorë nëpërmjet kontratës së sipërmarrjes e ka vënë në dispozicion të firmës së ndërtimit “Alb–Toronto Konstruksion” për të ndërtuar një pallat sipas lejes së ndërtimit që do të miratohej nga Zyra e Urbanistikës e Bashkisë Tiranë. Hysa do të përfitonte një sipërfaqe ndërtimi sipas marrëveshjes së parashikuar në kontratë. Firma mbi këtë bazë bllokon truallin e familjes Hysa në Hipotekë, deri në afatet kur kontrata është e vlefshme. Me mbarimin e afatit të parë të kontratës, firma merr lejen e sheshit, rreth katër muaj dhe në një kohë të shpejtë merr edhe lejen e ndërtimit nga KRRT e Bashkisë së Tiranës. Por firmës i dolën probleme me persona të ndryshëm si dhe bashkëpronarët të asaj pjesë trualli ku do të ndërtohej. Në lidhje me këtë janë zhvilluar gjyqe me disa nga pronarët që kanë pasur kontrata për arsye që ne nuk i dimë. Me mbarimin e kontratës në qershor të vitit 2006, banorët i janë drejtuar firmës me një kujtesë noteriale për lirimin e truallit në hipotekë, duke e konsideruar marrëveshjen paraprake si të skaduar. Derisa marrëveshje të re mirëkuptimi nuk pati, çështja kaloi në gjykatë, ku ajo e Faktit i dha të drejtë kërkesës së banorëve, ndërkohë që Apeli e prishi këtë vendim. Pas kësaj, ne bëmë ankim në Gjykatën e Lartë, vijon deklarimi i zotit Hysa, të cilin e depozituam më 19 mars të këtij viti, brenda dy javësh nga momenti i shpalljes së vendimit. Tashmë kjo gjykatë, e cila ka marrë rekursin nuk ka caktuar datë për zhvillimin e procesit, pasi praktika ka treguar se çështjet qendrojnë edhe një vit para se të merren në shqyrtim, për shkak të ngarkesës dhe procedurave të punës në këtë institucion. Por menjëherë pas kësaj firma “Alb-Toronto Konstruksion” i drejtohet Përmbarimit për të ekzekutuar vendimin e Apelit, ndërsa koha në të cilën Përmbarimi na drejtohet neve për të zbatuar vendimin e Apelit nuk është e përshtatshme pasi nuk ka kombinim të funksionimit të institucioneve. Tani në gusht Gjykata e Lartë është mbyllur pasi gjyqtarët dhe administrata ndodhen me lejet vjetore. Ligji na jep të drejtën neve se në momentin që na drejtohet një shkresë për ekzekutimin e këtij vendimi mund të mbrohemi, duke u ankuar brenda një afati kohor 10 deri në 15 ditë. Kur ne shkuam në Gjykatën e Lartë me kërkesën për të pezulluar urdhrin e përmbaruesit, Gjykata ishte e mbyllur dhe nuk punonte. Na thanë të paraqitemi në shtator. Për të qenë korrekt me ligjin, kërkesën ia dërguam me postë rekomande Gjykatës së Lartë dhe paralelisht të njëjtat shkresa ia nisëm edhe Përmbarimit”.
Por pas kësaj odiseje, në skenë del përmbaruesi Alimadhi, i cili këmbëngul për një thuajse “vetëgjyqësi”. Megjithëse vetë Zyra e Përmbarimit nuk kishte mandatuar kurrfarë aksioni për rrëzimin e banesave e çlirimin e truallit, Fatos Alimadhi, i cili për mendimin e banorëve, ose është bashkëpronar ose ka marrë para nga ortakët e bashkisë dhe të firmës së ndërtimit, këmbëngulte për lirimin me forcë të truallit (lënien e pastrehë të katër familjeve), pa pritur hapjen e vitit gjyqësor në fillim të shtatorit.
Gjatë aksionit vetmitar të Alimadhit, i cili në sy të banorëve refuzonte t’u bindej edhe urdhrave që vinin nga titullarët e Zyrës së Përmbarimit, ka rënë në sy mungesa e Policisë Ndërtimore, njërës nga hallkat e detyrueshme për aksione të tilla, çka tregon se gjithçka ishte një veprim i paramenduar i individëve, që paçka se brenda institucioneve tona, veprojnë krejt jashtë kuadrit ligjor. Skena kur Përmbaruesi Alimadhi paraqitej me punëtorë privatë të marrë nga rruga ishte gjuha e saktë e batakçinjve me të cilët bashkëpunon Bashkia e Tiranës dhe fytyra e asaj skeme që duhet shkulur nga rrënjët, sa më shpejt që të jetë e mundur.
Por meqenëse flasim për punë ditësh, është e qartë se duhet ndalur dora e këtij Alimadhit, sa pa e çuar gjendjen nga një vetëgjyqësi korruptive, në një vetëgjyqësi të mirëfilltë, pasojat e së cilës mund të merren me mend, paçka se dërguesi i mirëfilltë - Bashkia e Tiranës - sërish s’do ketë ndërmend të mbajë ndonjë përgjegjësi.