Agresioni i Serbisë me Lëvizjen e të paangazhuarve dhe nevoja e diplomacisë kosovare për një përgjigje
Ministri i punëve të jashtme i Serbisë, Jeremiq qysh tani i ka dërguar ftesat homologëve të tij të shteteve që dikur ishin pjesë përbërëse e ish-Jugosllavisë, për të qenë bashkëorganizator të samitit të asaj që njihej mirë dikur si “Lëvizja e shteteve të painkuadruara”. Plani është që kjo të mbahet në Beograd me rastin e 50 vjetorit të themelimit të saj. Për shumëkënd me të marrë vesh se “Lëvizja e vendeve të painkuadruara” ende po ekzistuaka është gjithsesi lajm dhe goxha i çuditshëm. Ajo ishte një lëvizje koti edhe atëherë kur ishte në kulmin e saj të veprimtarisë në vitet e gjashtëdhjeta e shtatedhjeta e lëre më tash. Është tjetër punë se komunistët jugosllav në krye me diktatorin aventurist Tito, me rahagjoks konsideronin se si themelues të kësaj nisme kanë bërë punë gjigante politike. Për vite të tëra edhe titistët shqiptarë të Kosovës (përndryshe të vetmit komunist në gjithë Evropën Lindore që kanë shpëtuar pa u ndëshkuar) na kanë lodhur me lavdet që ta çonin tugun mbi sukseset planetare të kësaj lëvizje.
Në këtë Lëvizje kishte anomali nga më të ndryshme. P.sh anëtarët e saj mund të ishin në luftëra të gjata e të përgjakshme, sikundër ishte lufta Iran-Irak, apo Indi-Pakistan dhe për këtë nuk mund të bëhej asgjë. Apo aty mund të ishte Sukarno që ishte i njohur si antikomunist dhe Tito që ishte komunist. Që të dy nga iniciatorët kryesor. Ndërkaq jo pak anëtarë të kësaj lëvizje çaluar kanë qenë pjesëtarë jo formal apo së paku informator të besueshëm të njërit nga dy blloqet ekzistuese në atë kohë. Edhe pse kishte një numër të madh të shteteve anëtare, shumica e tyre ishin të varfra të cilat i përkisnin “botës së tretë”. Kjo lëvizje ishte krijuar si kundërpërgjigje, apo së paku kështu mëtonte të ishte, e dy blloqeve të mëdha të asaj kohe; atij të lindjes konkretisht Paktit të Varshavës dhe atij të Perëndimit, Paktit të NATO-së. Analistët thoshin se ishte produkt i asaj që njihej mirë dhe ishte aktive asokohe ”luftës së ftoftë”. Iniciatorët kryesor ishin Jugosllavia, India dhe Egjipti.
Por e gjithë kjo është histori. Tani e rëndësishmja është se cilat janë qëllimet e Serbisë për t’i forcuar lidhjet me këtë Lëvizje dhe me pjesëtarët e saj? Çfarë në të vërtetë do të arrijë Serbia me gjithë këtë? Duket se kjo është një përpjekje e Serbisë të kompensoj zbrazëtinë që gradualisht tash e dy decenie e ka krijuar me politikat e saja të gabueshme, grabitqare e me luftë, ndaj fqinjëve të saj. Kjo zbrazëti në fakt është defaktorizimi i shtetit dhe kombit serb në Ballkan e cila me tkurrjen e saj politike po tejkalon edhe atë që mund të posedohet me hapësirën gjeografike, pasuritë natyrore dhe numrin e popullsisë që Serbia dhe kombi serb ka. Dhe ky defaktorizim jo vetëm gjeopolitik është determitë e raportit me faktorin evroperëndimor, armiqësia ndaj së cilës në Serbi vazhdon të jetë e madhe. Ndërkohë që përpjekjet e Beogradit zyrtarë janë të vazhdueshme për të krijuar një ndarje tek ky faktor, së paku për konsum të brendshëm, një lloj shpjegimi dualist, në njërën anë ajo evropiane e në tjetrën amerikane, me qëllim që të krijoj parakushte për një lidhje më të mirë me të parën. Deri më tani nuk ka ndonjë sukses të madh në këtë.
Kjo nuk do të thotë se evroperëndimorët nuk do ta pranonin Serbinë si anëtare e ardhshme e BE-së dhe strukturave të tjera të kësaj natyre, por duket se kalkulimet e Serbisë e sjellin atë në përfundimin tjetër, që këtë ofertë të mos e pranoj seriozisht. Një nga arsyet është se kjo ofertë edhe pse tani është më fleksibile herret a vonë do të përmbaj në të domosdoshmërinë e pranimit të pavarësisë së Kosovës. Sot Beogradi zyrtarë këtë nuk e do. Prandaj ajo vazhdon të bëjë politikë dualiste në njërën anë të përpiqet të krijoj imazh se është për politikë evropiane e për anëtarësim në BE (dhe të përfitoj sa më shumë që është e mundur nga kjo) e në anën tjetër të bashkëpunoj gjithnjë e më ngushtë me Rusinë e cila jo vetëm një herë tregohet se ka politika antiperëndimore. Dhe tani Serbia bën një përpjekje tjetër të re të rivendos lidhje me Lëvizjen e vendeve te painkuadruara. Ndërkohë që kjo Lëvizje edhe dikur në fillet e saj edhe tani ka të shpeshtën politikë antiperëndimore. Por duket se kjo Serbisë nuk i pengon, përkundrazi.
Është e kuptueshme se me këtë iniciativë Serbia do që të nxjerrë sa më shumë përfitime që është e mundshme, qoftë financiare – tregtare qoftë të tjera politike. Ajo me këtë do që të bëjë riparime politike në faktorizimin qe ka pesuar degradim. Një është shumë e rëndësishme edhe për Kosovën të cilën ne, konkretisht Ministria e Punëve të Jashtme, duhet jo vetëm ta ketë ndërmend por lidhur me të edhe të veprojë. Serbia për aq sa do të mundet (posaçërisht në përvjetorin e themelimit që do të mbahet në Beograd) me lidhjet e reja që do të krijoj me këto shtete (aktualisht janë 118 shtete anëtare) do të drejtohet në kundërshtimin e mundësisë së pranimit të pavarësisë së Kosovës nga vendet anëtare. Për më shumë ajo do të mundohet që të inicioj ndonjë rezolutë apo ndonjë akt tjetër të përbashkët juridik me të cilën drejtpërsëdrejti apo së paku tërthorazi do të aludoj në mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës apo shpalljen e saj si jo legjitime dhe të papranueshme. Disa nga shtetet anëtare të Lëvizjes së të painkuadruarve e kanë njohur shtetin e Kosovës, por shumica e tyre këtë nuk e kanë bërë ende. Kjo gjithsesi e bënë më të lehtë punën e Serbisë në arritjen e qëllimeve të veta. Ministri serb Jeremiq ka filluar qysh tani të lavdërohet se përgjigjet e fqinjëve të Serbisë, që dikur përbënin Jugosllavinë, kanë dhënë indikacione pozitive se do ta ndihmojnë Beogradin në organizimin e përvjetorit të “Lëvizjes së vendeve të painkuadruara” dhe të bëhen përsëri anëtarë të kësaj organizate. Është koha që edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës të dizajnojë një qasje të re lidhur më këtë iniciativë të re të Serbisë dhe të veprojë në këtë drejtim për të penguar qëllime të tilla.