E Diel, 1 Nëntor 2026

Vata nuk plaket kurrë, 37 vjeç firmos me Vupertalin



Fatmir Vata është nga raca e lojtarëve që nuk dëshiron kurrë të varë “këpucët në gozhdë”. Sulmuesi 37-vjeçar shqiptar nënshkroi një kontratë 1 vjeçare me Vupertalin e Bundesligës së 3-të gjermane, që e mban të lidhur atë deri më 30 qershor të vitit 2010, një transferim në parametra zero, pasi kontrata e tij e mëparshëm me Tus Koblencin kishte skaduar. Vata (17 ndeshje me Kombëtaren e Shqipërisë) vlerësohet si një lojtar me eksperiencë të madhe, pasi më parë ka luajtur në Bundesliga 1 me Arminian (88 ndeshje) dhe në Bundesliga 2 me Valdhof Manhejmin, Arminia Bilefeldin e Tus Koblencin (120 ndeshje në total). Fatmiri, i cili është përzgjedhur si “Futbollisti shqiptar i vitit 2004, nisi stërvitjen me ekipin e tij të ri dhe ndeshja e parë e veteranit të fushave do të jetë ajo kundër ekipit të dytë të Bajernit të Munihut, në transfertën e ditës së shtunë. “Mblesi” është bërë trajneri i Vupertalit, Uve Fuks, që ashtu si Vata banon në Bilefeld. “Pata një bisedë të mire me Uve Fuksin. Gëzohem pa mase që do të luaj për Vupertalin. E bukura e kësaj është se do të vazhdoj të banoj në Bilefeld”, - tha Vata gazetën gjermane “Vestdojçe Cajtung”. Trajneri Fuks theksoi: “Fatmiri dhe unë njihemi qysh në Bilefeld, pasi banojmë që të dy atek. Ai është një i çmendur pas futbollit, kjo në sensin pozitiv, dhe do të jetë për mua një partner i rëndësishëm si trajner. Te ai futbolli qëndron në plan të parë, dhe pastaj vijnë paratë”. Të njëjtën linjë pozitive mban dhe presidenti i Vupertalit, Fridhelm Runge. “Kam thënë shpesh, që ne nuk kemi nevojë më për sulmues, por përjashtim do të bënim për një të veçantë, i cili jep pasa të mira. Vata është tipi i duhur, të cilin ne e kemi kërkuar. Ai do t’i japë impulse të rëndësishme skuadrës dhe do të jetë shefi i fushës, që ne na ka munguar”. Korit i është bashkuar dhe menaxheri i Vupertalit, Markus Bajerc: “Fatmiri ka thjesht dëshirë, akoma edhe më tej të luaj një futboll të suksesshëm. Vata dëshiron që ta ndihmojë ekipin tonë të ri me përvojën e personalitetin e tij”. Tifozët e kanë mirëpritur ardhjen e Vatës. “Unë jam tifoz i Tus Koblencit, - thotë Ralf, - dhe do të dëshiroja me shumë qejf ta shihja atë të luante në Koblenz, pasi ishte një pjesë e rëndësishme e ekipit. Ai është një super-sportist, një shembull për të rinjtë. Atëherë shumë fat Fatmir Vata, ndoshta të shohim vitin e ardhshëm të luash në Ligën e Dytë”.

U-21, Azerbajxhani, shansi për pikët e para

Trajneri i Shpresave të Shqipërisë, Artan Bushati, zbardhi listën e 23 lojtarëve të thirrur për ndeshjen kundër Azerbajxhanit U-21, më 5 shtator (“Niko Dovana”, 16:30), e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian U-21. Shqipëria ka humbur dy ndeshje e parë në përballjen e dyfishtë me Skocinë: 0-1 në Elbasan dhe 5-2 në Falkirk. Vetëm sulmuesi Ahmed Januzi, i cili luan në Ukrainë me Vorskla Poltavën, vjen nga kampionatet e huaja, pasi 22 të tjerët luajnë në kampionatin shqiptar, ku përfaqësohen me lojtarë jo pak, por 11 skuadra, përfshirë edhe Gramozin me Klodian Seminën.

28 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›