56 milionë dollarë janë dhënë për dëmshpërblimin e të përndjekurve - greva, me motive politike
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, zbulon përfitimet sipas kësteve të të përndjekurve, që po konsumojnë një grevë urie me motive politike. Përveç banesave dhe pjesëmarrjes në privatizim, Gjergj Ndreca ka përfituar 3 mijë dollarë nga kësti i parë, kurse zjarrvënësi Perikli Shqevi 5800 dollarë
Personat të cilët janë në greve urie kanë marrë nga kjo qeveri duke filluar nga janari i vitit 2009 deri në 30 shtator 2012 gjithsej dhe pa ndërprerje 5.6 miliard lekë ose 56 milion dollarë, dëmshpërblime si të përndjekur politik.
Këtë e ka bërë të ditur dje, Dorjan Teliti, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave.
“Kësti i parë është shlyer për të gjithë ata që sot të manipuluar politikisht janë në grevë urie. Në informacionin që do tju jap në vijim nuk përfshihen dhënia e banesave apo privatizimet që kanë përfituar qofshin këto ish-ndërmarrje, hotele, magazinë apo prona të tjera shtetërore, për të cilat do t’ju informojmë në ditët në vijim”, vijoi më tej Teliti.
Duke u ndalur fillimisht te dy protagonistët e ngjarjes së zjarrvënës, së dy ditëve më parë, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, sqaroi se, “personi të cilin e ndezën flake dje (pardje) për qëllime kriminale, Gjergj Ndreca me nr. dosje 17709 ka marrë këstin e parë të pagesës në shumen 291.750 lekë (të reja) ose afërsisht 3 mijë dollarë, ndërkohë që nga ligjet e mëparshme, po të qeverisë së djathte, ka përfituar 700 mije lekë letra me vlerë (7.000 dollarë), të përdorura për privatizime të pronave publike për të cilat do të keni një informacion më të plotë në ditët në vijim”.
Ndërsa për Perikli Shqevin, Teliti bëri të ditur se, “zjarrvënësi që i ndezi flakën shokut të tij Gjergj Ndreca, i datëlindjes 1957 me nr. dosje 16.878 ka marrë deri sot 585.753 lekë (të reja) ose 5800 dollarë si dhe 1.129.973 letra me vlerë (mbi 11.000 mijë dollarë)”.
Përpos pretendimeve të grevistëve të urisë, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, shtoi më tej se ka qenë bashkëpunimi me përfaqësuesit dhe shoqatën e të përndjekurve politikë, ai që ka mundësuar vendosjen e prioriteteve të pagesave për personat që janë gjallë dhe mbi 65 vjeç për të përfituar këstin e dytë, ndërkohë në ditët në vijim do të fillojnë pagesat edhe për personat nën 65 vjeç.
Duke vijuar me publikimin e shumave dhe kësteve që kanë përfituar edhe të përndjekurit e tjerë politikë, grevistë urie, Dorjan Teliti, bëri të ditur se, “në total të gjithë janë paguar për këstin e pare 8.350.245 lekë (afërsisht 83 mijë dollarë) dhe nga kësti i dytë kanë përfituar deri më sot 2.734.466 lekë (afërsisht 28 mijë dollarë), por sikurse ju thashë është një proces që vazhdon pa ndërprerje. Të gjithë personat e listuar më sipër kanë përfituar deri më sot edhe 14.282.370 lekë letra nga privatizimet ose afërsisht 143 mijë dollarë. Fondi i vënë në dispozicion deri më sot prej 65 milion dollarësh është një proces i pandërprerë dëmshpërblimi”.
Në mbështetje të konstatimit se greva e urisë e disa të përndjekurve politikë, është e manipuluar politikisht, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, evidentoi edhe një fakt tjetër, sipas të cilit, asnjë qeveri socialiste, nuk ka dhënë asnjë qindarkë dëmshpërblim për këtë shtresë, ndërsa kanë qenë gjithmonë dhe vetëm, qeveritë e mazhorancës së djathtë, ato që kanë treguar kujdes për këtë shtresë.
“Dua të vë në dukje se asnjë qindarka dëmshpërblim nuk është dhënë nga qeveritë e mëparshme socialiste për këtë shtresë të shoqërisë. Ky është një dëmshpërblim i cili filloi gjatë qeverisjes së djathte pas vitit 1992, u ndërpre gjatë qeverisjes socialiste dhe ri-filloi dhe po kryhet përsëri vetëm nga kjo mazhorancë. Vlera e dëmshpërblimit të dhënë nga kjo qeveri, është më e larta e dhënë nga çdo vend tjetër ish-komunist në botë. Tarifa për dëmshpërblim e aplikuar nga qeveria shqiptare sot është 18.6 dollarë në ditë. Ky është qëndrimi i kësaj qeverie ndaj kësaj shtrese të përndjekurish të cilëve sigurisht kompensimi financiar nuk mund t’ju kthejë vitet e humbura por rivendos drejtësinë e munguar dhe është konfirmim i vëmendjes së kësaj mazhorance ndaj kësaj shtrese”, përfundoi Teliti.