6 fusha dhuratë
Pas një sërë takimesh dhe konsultave të vazhdueshme të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, me zyrtarë të Komisionit Evropian, komunave dhe Federatës së Futbollit të Kosovës, është arritur që të sigurohet një fond prej rreth gjysmë milioni euro për ndërtimin e gjashtë stadiumeve ndihmëse të futbollit në gjashtë komuna të Kosovës.
Ky projekt, në të cilin për disa muaj ministri Krasniqi ka insistuar që të realizohet, përfshin komunën e Mitrovicës, Pejës, Gjakovës, Ferizajt, Gjilanit dhe Drenasit. Fushat do të ndërtohen sipas standardeve të FIFA-s, me bar artificial (fusha sintetike).
Ndërtimi i këtyre stadiumeve, që financohet nga Komisioni Evropian, është një nga projektet më të mëdha që është realizuar ndonjëherë në sport që prej themelimit të MKRS-së. Me këtë, klubeve të futbollit nga këto komuna do t’u mundësohet që të kenë kushte më të mira për stërvitje, zhvillimin e lojërave miqësore, por edhe ruajtjen e fushës kryesore.
Nga fundi i këtij viti do të nisin procedurat e parapara, që do të udhëhiqen nga Komisioni Evropian, ndërkaq në pranverën e vitit të ardhshëm do të fillojnë punimet, për të përfunduar po në vitin e ardhshëm.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi thotë se kjo tregon për një përkushtim të institucioneve shtetërore dhe të partnerëve ndërkombëtarë për ta ndryshuar për të mirë gjendjen në sportin e Kosovës.
“Ka qenë një projekt që jam angazhuar shumë që ta fitojmë dhe ndihem mjaft mirë që ia kemi arritur dhe këtu dua ta falënderoj edhe Komisionin Evropian, veçanërisht zotërinë Kjartan Bjornson, që ka qenë udhëheqës i operacioneve në Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian. Unë e rikonfirmoj se ne jemi duke punuar që të ketë ndërtime të stadiumeve të tilla edhe në komuna të tjera dhe natyrisht rritje të investimeve kapitale në sport”, ka thënë ministri.
Në këtë projekt është e përfshirë edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, me faktin se po bëhet fjalë për komunat.