Kosova, FIFA monitoron situatën diplomatike
Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s ka vendosur të trajtojë në mënyrë të veçantë çështjen e Kosovës, por pa vendosur nëse do të hedhë hapa drejt anëtarësimit apo jo të saj. Ekzekutivi i ka kërkuar administratës së FIFA-s që të monitorojë me vëmendje zhvillimet në Kosovë dhe situatën diplomatike të shtetit më të ri në Evropë. Drejtuesit e futbollit kosovar kanë pasur kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të FIFA-s gjatë viteve të fundit, duke kërkuar anëtarësimin dhe njohjen e statusit të futbollistëve kosovarë në të gjithë botën. Por FIFA nuk dëshiron të përfshihet në konflikte politike, për këtë arsye është në pritje të zhvillimeve të mëtejshme në diplomacinë ndërkombëtare para se të marrë një vendim rreth Kosovës. Gjithsesi, hapi i parë drejt anëtarësimit të këtij shteti në FIFA, ka qenë ai i caktimit të Shqipërisë si mbikëqyrëse e zhvillimeve të futbollit kosovar dhe ndihma që FSHF duhet t‘i japë palës kosovare për përshtatjen e strukturave të saj me rregulloret e FIFA-s.