Hetuesit në një seminar mbi “teknikat e hetimit financiar”
TIRANË - Dhjetëra hetues të njësisë “Task-Force” prej tri ditësh janë përfshirë në një seminar mbi praktikat bashkëkohore të hetimit të krimit ekonomiko - financiar, korrupsionit dhe pastrimit të parave, që organizohet nga ekspertë amerikanë dhe Prokuroria e Përgjithshme. Pjesëmarrës në këtë seminar, hetues dhe prokurorë, të kontaktuar të enjten nga gazeta “Albania” vlerësuan si mjaft efikase në punën e tyre shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave hetimore me specialistët e huaj. Seminari me temë “Teknika e Hetimit Financiar”, nisi tre ditë më parë në mjediset e Prokurorisë së Përgjithshme dhe do të përfundojë nesër. Aktiviteti u përshëndet nga Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama dhe ambasadori Amerikan në Tiranë, John L. Uithers 2”.
I dyshuari si ekzekutues i prindërve gjendet i vetëvrarë
MIÇIGAN - Gjendet në një liqen të Miçiganit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, trupi i pajetë i Artur Shehut, personit që kërkohej nga janari i këtij i viti nga policia amerikane për vrasjen e prindërve të tij, Syrja dhe Safo Shehu. Ndonëse ende nuk është konfirmuar, organet kompetente thanë se trupi duket se i përket shqiptarit Artur Shehu. Sipas autopsisë së bërë, viktima ishte qëlluar me plumb në kokë. 33-vjeçari Shehu ishte zhdukur që nga data 7 janar, kohë kur prindërit e tij, Syrja Shehu, 66 vjeç dhe Safo Shehu, 67 vjeçe u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre në Vila Park. Artur Shehu, i cili punonte si shofer taksie, kishte 10 vjet në Amerikë, ndërsa prindërit e tij 6 vjet. Sipas autoriteteve në Çikago, 33-vjeçari ishte i sëmurë mendor. Policia gjeti në shtëpinë e Shehut një shënim ku thuhej se ai kishte vrarë prindërit e tij, ndërkohë që po sipas këtij shënimi, ai planifikonte të vriste edhe veten, ndërsa shpresonte që trupi i tij të mos gjendej kurrë. Sipas policisë, trupi i viktimës ndodhej prej disa ditësh nën ujë.
Zbulohet një bazë falsifikimi dokumentesh zyrtare, pranga një 55-vjeçari
TIRANË - Policia e Tiranës zbuloi dje një banesë që shërbente si bazë falsifikimi për dokumentet zyrtare, ndërsa arrestoi pronarin e kësaj banese si përgjegjës për këtë veprimtari të paligjshme.
Burime zyrtare nga policia thanë për gazetën se forcat e seksionit të Krimit Ekonomiko- Financiar, sekuestruan një sërë dokumentesh zyrtare të falsifikuara në banesën e shtetasit Rasim Veizi, 55 vjeç, i cili u arrestua në kushtet e flagrancës. Nga hetimet e para rezulton se 55-vjeçari Veizi dyshohet se u ka përgatitur individëve të ndryshëm dokumente false, me qëllim përfitimin e pensioneve të pleqërisë, sigurime shoqërore, etj. Ndër dokumentet e sekuestruara përmenden libreza pune, libreza ushtarake, vërtetime punësimi, libreza kontributesh shoqërore, certifikata personale dhe familjare, të cilat dyshohen se janë falsifikuar. Po ashtu, u sekuestruan dhe materiale shkresore, ku deklaroheshin shumat e përfituara për pajisjen e shtetasve me dokumentacion për përfitimin e pensionit. Nga ky shërbim i arrestuari përfitonte nga 200- 300 mijë lekë. Policia në bashkëpunim me prokurorinë, po punojnë për dokumentimin e plotë të këtij rasti, si dhe zbulimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në të.
11 Prill 2008