E Diel, 1 Nëntor 2026

6 vite me fëmijën e vdekur në Spanjë

Fatkeqësia/ U bënë vite që vajza e saj ka ndërruar jetë. E megjithatë, për të shkuar të qajë në varrin e saj, i duhet një vizë, sepse eshtrat ndodhen shumë larg. Sot, gjashtë vjet pasi jeta e 22-vjeçares u pre në mes, e ëma apelon ndihmë që të mund të ketë një vend mbi të cilin të pikojë lotët për të bijën...

MIRDITË - Një mungesë ratifikimi traktatesh në mes Shqipërisë dhe Spanjës për riatdhesim, e sidomos në raste fatkeqësish, si dhe rregulla burokratike të pasens kur vritet një emigrant shqiptar në dhe të huaj për t'i rikthyer eshtrat në atdhe, ka bërë që një familje nga lagjja "Besëlidhja" e Lezhës, prej 6 vitesh të mos arrijë të marrë nga Spanja vajzën e varrosur në një qivur, pa përmendur dëmshpërblimin e akorduar pas një procesi të gjatë penal ndaj vrasësit në Girone të Spanjës. Duke pasur parasysh këtë mungesë legjislacioni në mes dy shteteve si dhe harxhimet e shumta që do të sillte nisja e një gjyqi prej këndej, asnjë avokat shqiptar nuk e ka marrë përsipër një "aventurë" gjyqësore të tillë, dhe kjo i ka shkaktuar familjes sorollatje të panumërta derë më derë në Ministrinë e Jashtme apo kontakte të tjera telefonike me jashtë pa mundur të nxjerrin gjë në dritë. Nën brengën dhe ankthin që po përjeton vetë nëna e vajzës së vrarë, Vera Papa, pohon për "Shekulli"-n gjithë sorollatjet e pafund dhe mosgjetjen e një zgjidhjeje që, në fund të fundit, të mund të merrte vajzën për t'u prehur në vendlindje, si një e drejtë më se njerëzore.
Biseda:
Zonja Vera, si fillon historia tragjike e fëmijës suaj?
Vajza ime Vjollca, asokohe 22-vjeçare, e që tashmë nuk jeton më, u nis në emigracion me vizë në Spanjë që në vitin 2002, për të punuar atje për 8 muaj, duke na ndihmuar në hallin që ne kishim këtu. Po atje ajo u njoh dhe bashkëjetoi me një rumun, me të cilin kishin vënë plan të vinin në Shqipëri për të vënë kurorë. Kjo gjë ishte lënë nga të dy për në muajin gusht të vitit 2003.
Dhe nuk arritën të vijnë?
Jo, sepse jeta e saj u pre në mes, e vranë.
Kush ua njoftoi këtë?
Ne flisnim shpesh me të dhe me personin me të cilin bashkëjetonte, por pikërisht më 31 mars e 1 prill 2003 nuk na mori thuajse gjithë ditën, dhe kjo na shqetësoi. Vetëm pas një dite më mori në telefon një polic spanjoll, i cili komunikonte dhe në shqip, dhe më pyeti sa fëmijë kam e me radhë, por që ndërsa flisja kisha një parandjenjë të keqe. Më në fund u shpreh duke më inkurajuar se vajza nuk jetonte më dhe se e kishin vrarë.
Nga kush ishte vrarë vajza?


Ishte një spanjoll i quajtur Hosep, i cili pas vrasjes kishte kryer dhe një denoncim fals për vrasje në kushtet e vetëmbrojtjes, por që hetimi dhe gjyqi i zhvilluar atje e nxorën fajtor si për krimin e vrasjes, ashtu dhe për denoncimin fals, duke e dënuar me burg dhe detyrimin për dëmshpërblim ndaj nesh.


Ju shkuat më pas në Spanjë?

Po, më ndihmuan dhe ambasada dhe shteti spanjoll për të shkuar në Girone, ku bëmë dhe varrimin e vajzës në qivure. Ishte thuajse një pallat i madh me arkivole të tilla dhe aty më thanë se kufomën do ta merrja pas 5 vitesh, sipas ligjit spanjoll të riatdhesimit në të tilla raste.



Ju e morët vajzën të paktën të vdekur, sipas asaj që ju kishin thënë?

Jo,madje edhe tani që në muajin prill mbush plot 6 vjet qëkurse e kemi varrosur.


Jeni ankuar për këtë?


Po, kam kërkuar gjithandej, disa herë në Ministrinë tonë të Jashtme, por pa zgjidhur gjë pasi më nxjerrin si pengesë probleme ligjesh në mes dy shteteve. Madje, tanimë është nxjerrë si pretekst se në momentin e vdekjes, vajzës i kishte kaluar afati i vizës spanjolle. Nuk e kuptoj se si ka mundësi që një afat vize të të pengojë të marrësh njeriun tënd të vdekur për t'u prehur në vendlindje.


Po dëmshpërblimi ju është dhënë?

As që bëhet fjalë për këtë gjë. Vrasësi i sime bije nuk disponon asnjë pasuri në hipotekë, ndërsa sa i përket detyrimit të shtetit spanjoll në raste të tilla, nuk di si të veproj, pasi askush nuk merr përsipër të më bëjë avokaturën. Po bëj dokumentet për të marrë një avokat gjerman... Të paktën të më lejojnë të marr kufomën e fëmijës sim, gjë që kërkon dhe shpenzim të madh, e që sipas gjykatësve atje, shteti spanjoll duhet të ma marrë përsipër, pasi vajza ime është masakruar në atë vend dhe nga një shtetas i atij vendi...

-------------------------------------------------------------------------------------

Procesi gjyqësor në Spanjë

Sipas materialit voluminoz gjyqësor marrë nga gjykata provinciale, seksioni i tretë penal në Girona, dhe që i është dërguar Prokurorisë së Përgjithshme Spanjolle më 22 mars 2006, Hosep Tajeda Andreu, 62 vjeç, në vitin 2003, është gjetur fajtor për vrasjen e 22-vjeçares Vjollca Papa nga Shqipëria, ashtu si dhe për një denoncim fals me këtë rast, një ditë pas vrasjes. Prokuroria kërkoi 15 vjet burgim për vrasje, dhe 2 vjet burg për krimin e akuzimit dhe denoncimin fals, si dhe pagimin e shpenzimeve të prindërve të Vjollcës së vrarë, Vath e Vera Papa, për një shumë nga 90 mijë euro secili. Edhe kryegjykatësi shpalli verdiktin e tij duke e deklaruar fajtor për këto krime të parashikuara në Kodin Penal spanjoll, madje sipas vendimit mbrojtja e të akuzuarit kufizohej për të manifestuar papajtueshmëri me dënimin e shpallur nga akuzuesit. I akuzuari u paraqit më datë 2 dhe 3 prill 2003 për të denoncuar sipas tij sulmin që i ishte bërë nga tre persona arabë për t'i rrëmbyer paratë, por që realisht kishte fshehur vdekjen e Vjollca Papës, e që hetimi dhe një investigim juridik nxori të kundërtën, një simulim i një krimi të pakryer ndaj tij, dhe për këtë iu shtua dhe akuza në fjalë. Hosep e ka goditur Vjollca Papën natën e datës 1 prill 2003 në një banesë, dhe nga plagët e marra me mjete të forta në qafë ajo ka gjetur vdekjen pas prerjes së venës dhe arteries karotide. Gjurmë gjaku, që u gjetën dhe nga policia në ndërtesën ku ajo banonte, rezultuan të viktimës, dhe jo siç kishte pretenduar i akuzuari. Më pas ajo është hedhur në një kanal për t'u gjetur disa ditë më pas nga policia spanjolle. Kështu autorësia e këtij krimi u provua me prova indirekte. Ekzaminimet kanë qenë tejet të specializuara nga hetues dhe ekspertë të Institutit Kombëtar të Toksilogjisë. Rezulton që vrasësi i Vjollca Papës të ketë qenë i dënuar dhe më parë për disa vepra të rënda penale.

----------------------------------------------------

Shpërblimi apo dëmshpërblimi


Sipas një sqarimi që u është dërguar familjes Papa nga ambasada e Shqipërisë në Spanjë në vitin 2004, kur çështja ishte akoma nën gjykim, thuhet se edhe nëse personi i akuzuar shpallet fajtor, ai nuk disponon të ardhura as në para e as në natyrë. Por edhe pse viktima apo familjarët mund të përfitojnë një shpërblim nga shteti spanjoll, sërish ka disa vështirësi që lidhen me faktin se në mes Shqipërisë dhe Spanjës nuk ka marrëveshje të nënshkruar për kompensimin e viktimave të krimeve të dhunshme. Ndërsa për kthimin në atdhe të eshtrave, bëhej fjalë vetëm pas 5 vitesh nga varrosja në Spanjë, por që edhe pse afrohet viti i gjashtë, familja Papa ende nuk i ka marrë eshtrat e vajzës së saj.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›