E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga një polici dhe një doganieri

KONTRABANDA/ Dashamir Sadikaj e Besnik Jaku lejuan kalimin e një mjeti me 3 ton miell të pazhdoganuar

Kukës - Një doganier dhe një polic i pikës së kalimit kufitar të Qafë-Prushit janë vënë në pranga nën akuzën e favorizimit të kontrabandës. Dashamir Sadikaj, me detyrë doganier në doganën e Qafë-Prushit dhe Besnik Jaku me detyrë kontrollor në këtë pikë-kalimi kufitar, janë arrestuar nga Sektori i Luftës ndaj Krimit Ekonomik e Kontrabandës në drejtorinë e Policisë së Qarkut të Kukësit. Burime pranë kësaj drejtorie kanë bërë të ditur se arrestimi i doganierit dhe punonjësit të policisë është bërë pasi kanë favorizuar kalimin e mallrave kontrabandë nga Kosova në Shqipëri. Forcat e policisë kufitare kanë bllokuar në aksin rrugor Qafë-Prushi-Fierzë një furgon me tre ton miell që kishte kaluar kontrabandë ngë Kosova në Shqipëri. Policia ka arrestuar drejtuesin e këtij automjeti, shtetasin Leonard Hasa, 30 vjeç, nga Fierza. Pas verifikimeve ka rezultuar që automjeti kishte kaluar në pikën doganore të Qafë-Prushit në rrethin e Hasit në orët e vona të mbrëmjes së shtunë, pa kryer veprimet doganore. Forcat e policisë kufitare kanë njoftuar me këtë rast sektorin e Luftës ndaj Krimit Ekonomik, ku specialistët pas kryerjes së verifikimeve arritën në konkluzionin se furgoni i ngarkuar me miell kontrabandë kishte kaluar përmes pikë-kalimit kufitar të Qafë-Prushit pa kryer veprimet doganore, ndërkohë që ka rezultuar që ky automjet të mos jetë i regjistruar në regjistrat e policisë. Për këtë arsye është kryer ndalimi i Dashamir Sadikajt, doganier turni në pikën doganore të Qafë-Prushit dhe i kontrollorit të kësaj pike, Besnik Jaku.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›