Sopoti, mes historisë, varfërisë dhe braktisjes
Pakkush mund ta ketë dëgjuar që Sopoti është fshati ku Gjergj Kastrioti Skënderbeu mori gruan e tij Donikën (Andronikën), vajzën e Gjergj Aranit Golemit. Dikur i famshëm, sot kësaj zone i ka mbetur vetëm emri, një skuadër futbolli, dhe një lokal, pasi vetë fshati është drejt braktisjes
Pasi të kalosh fshatin Farret dhe të lësh mbrapa kthesat gjarpëruese, të ecësh në "Urën e Hakës" dhe të marrësh në të djathtë për në fshatin Shqiponjë ose Lepushë, siç i thonë vendasit, të duhet të pish një kafe në lokalin e Xhemal Kryemadhit, i cili pret e përcjell çdo ditë njerëz. Më pas mund të nisesh drejt kodrës dhe rrugës shumë të vështirë dhe të shkatërruar nga makinat e tonazheve të rënda, të cilat transportojnë çdo ditë prej 18 vjetësh lëndë drusore, dhe ku makinat e vogla e kanë të vështirë kalimin. E pasi ke kaluar maloren e vështirë dhe gjithë kthesa, del në Qafën e Malit. Përballë të shfaqet maja e një mali të lartë që quhet Mali i Gaferrit, 1987 metra mbi nivelin e detit. Poshtë tij shtrihet fshati Gaferr. Dhe më pas, Sopoti. Që aty shikon livadhe pa fund, pyje të bukura, ndërsa Struga duket larg në horizont me liqenin e saj të kaltër. Më tej kalon Liqerin e Cakës përmes bredhave të bukur... Perëndia, në fakt, nuk ia ka kursyer bukurinë Sopotit. Sipërfaqja pyjore turistike është 5490 ha. Nga të gjitha anët ka pyje dhe kullota alpine në Malin Plak, Malin e Polisit, Gurin e Pëllumbit, Malin e Gaferrit, Lukovën. Kudo shikon fusha pa mbarim, ku rritet një florë dhe një faunë shumë e çmuar, dhe jo pa qëllim është shpallur Zonë e Mbrojtur, Rezervë Natyrore e Menaxhuar, ku shoqata "Egnatia" dhe një grup specialistësh kanë propozuar që kjo zonë të zgjerohet edhe me shumë. Ishte një projekt i financuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara në vitin 2001, por që nga ajo kohë nuk është dukur asnjë projekt ose ndihmë, ndërsa në këtë zonë është abuzuar barbarisht me prerjen e drurëve dhe dëmtimin e florës dhe faunës. Teksa lexon të shkuarën e Sopotit, teksa përjeton bukurinë e tij, e vetmja gjë që mund të ndiesh është keqardhja për këtë zonë dikur të lavdishme, por sot të braktisur nga të gjithë.
Klima
Sopoti shtrihet në zonën klimaterike mesdhetare, nënzona mesdhetare juglindore. Temperaturat mesatare vjetore arrijnë 6-20 gradë celcius. Sasia e reshjeve arrin 2260 mm shi në vit dhe periudha e reshjeve të dëborës zgjat 155 ditë me një trashësi deri në 2,5 metra. Kjo është një zonë me biodiversitet të lartë dhe ka mbi 110 lloje të bimëve medicinale. Mund të përmendim Zambakun Shqiptar që rritet në këtë zonë. Gjithashtu janë mbi 40 bimë dhe specie që paraqesin rrezik të zhduken dhe propozohen të futen në librin e kuq. Në këtë zonë rriten kaprolli, dhia e egër, gjeli i egër, thëllënza, zardafi, trofta, ketri, macja e egër, nusja e lalës, artini, blini, mështenka, dëllinja e kuqe, dëllinja e zezë, pisha, bredhi, paja, tisi, rrobulli, gështenja e egër etj. Pasuri e çmueshme është edhe uji i Gostimës ku rritet trofta, ujë që rrjedh nga burimet e malit të Gurit të Pëllumbit dhe Malësisë së Nenzës, si dhe Lumit të Shrebenicës. Mund të përmendim ujërat termale, me veti kuruese për mjaft të sëmurë, që vizitohet nga mjaft njerëz, por kjo vetëm në verë dhe në mënyrë primitive.
Natyra në verë është shumë e mrekullueshme. Fushat e Malit Plak janë pa mbarim ku gjatë muajve të verës larmia e luleve shumëngjyrëshe e cila ndërrohet çdo javë, lule të rralla e pyje të larta shijohet nga turistët, por edhe dimri megjithëse është i ashpër është shumë i bukur për skiatorët.
Migrimi
Josif Skënderi thotë që jam larguar shumë i vogël nga fshati dhe kam nostalgji dhe shkoj shpesh në Sopot, sidomos në verë, por më vjen keq që nga shteti është parë me syrin e njerkës. Qamil Blloshmi, një marangoz i larguar në Kavajë, thotë se u detyrua të ikte nga fshati, sepse nuk kishte të ardhme vetëm premtime dhe asgjë, edhe bukën e ushqimet i transportonin në krah. "Këtu ku jam kam ndërtuar biznesin tim dhe jam i kënaqur, por guri i rëndë në dheun e vet thotë një fjalë e bukur shqiptare, - vijon Qamili.
Gratë dhe vajzat
Gratë dhe vajzat e zonës shquhen për artin e të qëndisurit dhe bërjes së qilimave, që aq shumë kërkohen për tregun vendas dhe atë të huaj.
Turistët
Turistët kanë qenë të paktë këto vitet e fundit për faktin se udhëtimi deri në këto lartësi dhe bjeshkë të bukura është i vështirë për shkak të infrastruktures, ku duhet vetëm motoçikletë ose ndonjë fuoristradë. Vizitorët kanë qenë italianë, çekë, gjermanë, austriakë etj. Shumë prej tyre janë ngjitur deri në Stravaj ose Polis dhe janë kthyer mbrapa. Sopoti ofron kushte shumë ideale për piknike e ngjitje sportive, kudo nga çdo pozicion mundet të sodisësh panorama mahnitëse që ofron ky vend i mrekullueshëm dhe që e bën më interesant udhëtimin, pushimin dhe mjaft aktivitete të tjera. Është një nga zonat më të pasura me vlera unikale natyrore. Pozita e saj gjeografike që zë kjo zonë, kjo krahinë, me bukuritë e saj dhe mundësinë që të jep ia rrisin më shumë rëndësinë turistike.
Gjendja ekonomike-sociale
Të dy fshatrat Gaferr dhe Sopot gjatë këtyre viteve janë varfëruar çdo ditë e më shumë, kjo si pasojë e mungesës së investimeve, punësimit dhe largësisë së tregut nga qyteti e qendra e komunës. Aty mungon mjeku, energjia, investimet në bujqësi e blegtori, lidhja telefonike, farërat dhe punimet mekanike. Çmimet e larta të punimeve, si dhe nevojat për arsimimin dhe transporti i furnizimit me rezervë dimërore kanë qenë edhe disa shkaqe të kësaj varfërie. Si rrjedhojë, fshati Gaferr është braktisur i gjithi dhe banori i fundit ka zbritur në Librazhd në muajin dhjetor 2008. Ndërkaq, Sopoti është braktisur 50 për qind.
Vendet për t'u vizituar në Sopot
Qafa e Malit
Liqeri i Cakës
Mali i Nenzës
Ujvara e Gostimës
Ujvara e Gurrës
Ujërat termale të Nenzës
Lumi i Shrebenicës
Lumi i Gostimës bashkë me troften e tij
Fushat e Malit Plak
Maja e Gaferrit
Kanionet e Qafës së Malit
Malin e Gurit të Pëllumbit
Pak histori
Sipas regjistrave turq të vitit 1467, Sopoti figuron midis 34 fshatrave të trevës së Librazhdit ku për atë kohë sipas kujtesës së Gjon Muzakës ndahet në: Sopot, Polis dhe Bërzeshtë; Çermenika e Poshtme, Çermenika komplet, Dibra dhe Dibra e Poshtme. Këto treva ndodheshin nën zotërimet e familjes së madhe të Aranitëve (Gjergj Golemit). Fillimet e tij Sopoti i ka rreth viteve 1001 me David Aranitin, i cili ishte ushtaraku më i lartë në Shkup. Studiuesi gjerman Bahinger thotë: "Po të mos ishte Skënderbeu, heroi kombëtar i shqiptarëve, do të ishte Gjergj Araniti (Golemi) që në kujtesën e popullit njihet si Gjergj Golemi". Nga dokumentet historike të vitit 1432-1436 Gjorg Golemi paraqitet si fuqia më e madhe ushtarake, e cila shkatërroi turqit në shumë beteja. Gjergj Araniti ishte princi që hapi Kuvendin e Lezhës në 2 mars 1444 dhe shërbeu si lidhje e fuqishme e Skënderbeut me Gjorg Golemin dhe për këtë u bë martesa e Donikës, vajzës së Gjorgut me Skënderbeun më 26 prill 1451, lidhje e cila i mbajti shqiptarët të bashkuar në luftë kundër turqve. Me vdekjen e Skënderbeut më 1460-n filloi rënia e qëndresës së shqiptarëve, ku Kalaja e Sopotit ra në vitin 1470, vit kur mori fund qëndresa e shqiptarëve ndaj turqve e aranitët të tradhtuar nga rojat besnike të tij. Në një këngë legjendë i thuret lavdi dhe vajzave dhe grave të Sopotit të cilat për të mos rënë në dorën e ushtrive turke, u hodhën nga maja e Malit të Gaferrit.