E Diel, 1 Nëntor 2026

"Bechtel" t'i paguajë gjobën, 3 miln lekë tatimeve

Ndërtuesi i Durrës- Kukës, u gjet me shkelje dhe mos deklarim të TVSH-së vitin e shkuar

TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, vetëm pak ditë më parë, i dha të drejtë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për gjobën e vendosur ndaj firmës "Bechtel&Enka" prej 3 milionë lekë të reja, duke e akuzuar atë për mos deklarimin real të shumës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Kështu, të enjten e kaluar, togat e zeza të kryesuara nga gjyqtari i vetëm i çështjes, Agron Zhukri, vendosi të lërë në fuqi gjobën e Tatimeve ndaj firmës që po ndërton tunelin në segmentin rrugor Rrëshen-Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morinë, duke e urdhëruar këtë shoqëri që brenda 15 ditëve të shlyejë gjobën me gjithë interesat që janë në treg, nëse vendimi nuk apelohet. Sipas vendimit të sigluar nga gjyqtari Zhukri, firma "Bechtel&Enka" nuk ka deklaruar vlerën reale të detyrimit për pagesën e TVSH-së vetëm për muajin mars 2008. "Shoqëria ndërtuese "Bechtel&Enka" në muajin mars të vitit 2008 nuk ka deklaruar vlerën reale që kjo shoqëri duhet të paguajë për TVSH-në. Nga vlerësimi tatimor për detyrimet e faturës me numër 8291/2, datë 30 maj 2008 të Njësinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve i vetë deklarimit të TVSH-së në muajin mars 2008 nga firma "Bechtel&Enka" është përllogaritur jo në bazë të ligjeve në fuqi, duke hequr nga tatimi shumën prej 6.218.380 lekë të reja. Për këtë mos deklarim real, inspektorët e tatimeve e kanë gjobitur kundrejt kësaj shume firmën ndërtuese të tunelit Rrëshen-Kalimash me shumën 3.109.190 leke të reja",-thuhet në vendimin e gjykatës, ku urdhëron kompaninë ndërtuese që brenda 15 ditëve nëse vendimi nuk apelohet të shlyhen detyrimet bashkë me këstet e kamatës së prapambetur. Avokatët e kësaj firme, në shtator të 2008 kundërshtuan këtë gjobë të tatimeve duke dorëzuar në Gjykatën e Shkallës së Parë një padi me objekt "për shfuqizim/ndryshim akti administrativ", duke kërkuar "shpalljen e pavlefshmërisë së njoftimit të vlerësimi tatimor për detyrimet nr. 8291/2, datë 30 maj 2008 të Njësinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe çlirimin e paditësit nga pasojat përkatëse. Duke i cilësuar të pa mbështetura në legjislacionin në fuqi të detyrimeve të përllogaritjes së TVSH-së për muajin mars 2008. Gjithashtu, po me anë të kësaj padije është kërkuar edhe shpallja e pavlefshmërisë së vendimit numër 1017 datë 14 korrik 2008 të kësaj drejtorie që ka gjobitur firmën "Bechtel&Enka" me shumën 3.109.190 lekë të reja. Pas shqyrtimit të kësaj padije, ku palët kanë sjellë argumentet e tyre mbi këtë gjobë, gjyqtari Zhukri ka vendosur rrëzimin e kërkesë padisë së avokatëve të firmës "Bechtel&Enka" si të pabazuar në ligj dhe në prova. Gjithashtu, po pranë kësaj gjykate, shoqëria ndërtuese "Bechtel&Enka" ka paditur sërish Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për një gjobë tjetër dhe ndodhet në gjykim tek gjyqtarja Elona Stavri, e cila që nga 20 janari i këtij viti, e ka marrë dosjen në shqyrtim.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›