Tepelenë, pranga hajdutëve të lokaleve
OPERACIONI/ Pesë vetë u arrestuan nga policia e Gjirokastrës, pasi kishin realizuar 6 vjedhje në dy javë
GJIROKASTËR- Një grup i mirorganizuar që kryente vjedhje të lokaleve në rrethin e Tepelenës është goditur nga policia. Në pranga janë vendosur 5 persona, si dhe është sekuestruar një pjesë e konsiderueshme e mallrave të grabitura. Burime nga policia bëjnë të ditur se të arrestuarit ishin shokë mes tyre, ndërsa mallrat e vjedhura i kalonin në lokalin e personit të quajtur si organizatori i grabitjeve, e pikërisht Luan Cacës. 38-vjeçari mësohet të kishte vënë në dispozicion për vjedhjet automjetin e tij tip "Benz". Arrestimi i pesë shokëve u bë pas një hetimi të realizuar nga agjentët e Seksionit kundër Krimeve ndaj Pronës.
Gjashtë vjedhje brenda dy javëve në fshatrat e Tepelenës kanë vënë në punë policinë në mënyrë që të arrihej të zbuloheshin se kush mund të ishin autorët, të cilët kishin vënë në shënjestër vetëm lokalet. Një tentativë e dyshimtë për të shitur sende të vjedhura mësohet të ketë qenë edhe pikënisja e hetimeve nga ana e agjentëve. Kështu, teksa të gjithë janë vënë në pritje të realizimit të një lëvizjeje të gabuar, ka qenë vetë një nga hajdutët që i ka dhënë shtysë. Ai ka dashur të këmbejë disa sende të vjedhura dhe kjo gjë është mësuar menjëherë nga agjentët e antikrimit. Ndjekja e personit të dyshuar ka bërë që të zbulohet edhe grupi i "shokëve" mysafirë tek lokali në Tepelenë i Luan Cacës. Pas hetimeve u arrit të kuptohej se ishte pikërisht Caca ai që djemve të tjerë u kishte vënë në dispozicion automjetin e tij për të realizuar vjedhjet. Objektiv ishin lokalet, pasi aty mund të merreshin sende të cilat më pas përdoreshin në lokalin e Cacës, duke mos krijuar kështu dyshime apo edhe nevojën e shitjes së mallit të vjedhur.
----------------------------------------------------------------
Nga policia u vunë në pranga Luan Caca, 38 vjeç, Erjon Balliaj, 27 vjeç, Jonid Haxhiraj, 22 vjeç, Haxhi Salaj, 26 vjeç dhe Klodian Musara, 28 vjeç, të gjithë nga rrethi i Tepelenës. Sipas policisë, "këta shtetas vepronin si një grup kriminal i mirorganizuar". Pas kontrollit të ushtruar u gjetën dhe një magnetofon, një mulli kafeje i madh, një aparat dixhital, stekat me paketa cigaresh të markave të ndryshme, pije energjike, pije freskuese, 80 litra raki, 2 stabilizatorë energjie, 2 telefona celularë. Gjithashtu, në lokalin e Luan Cacës u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 kallëpe me lëndë plasëse e llojit dinamit dhe 26 metra fitil zjarrpërcjellës. Pesë personat akuzohen për "vjedhje të kryer në bashkëpunim", ndërsa Caca do të hetohet edhe për akuzën e "mbajtjes pa leje të lëndëve plasëse".