E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fazlliç: Lidhjet me Argita Berishën

FAZLlIÇ
"Kam bërë biznes të rregullt në Shqipëri dhe kam respektuar legjislacionin në fuqi të vendit tuaj"

Fazlliç iu përgjigjet 30 pyetjeve të prokurorisë, për akuzën e pastrimit të parave të ngritur ndaj tij

Me studion "Malltezi&Kola" kam njohje pune

Serbo- boshnjaku, pohoi dje lidhjet e tij, me kunatin e Ministrit të Jashtëm dhe firmën ligjore të vajzës së kryeministrit


TIRANË- "Miku" i kryeministrit Sali Berisha, serbo-boshnjaku Damir Fazlliç, pranon para hetuesve të njësisë së Task-Force-s së prokurorisë së kryeqytetit se me studion ligjore "Malltezi & Kola" ka pasur marrëdhënie pune.

Kjo studio ligjore është marrë me konsulencën juridike të shoqërisë së tij në Shqipëri. Një fakt i tillë është i ditur nga burime zyrtare pranë organit të akuzës, sipas të cilëve Fazlliç ka pranuar t'iu përgjigjet pyetjeve të prokurorëve Besnik Cani e Dritan Rreshka për lidhjet dhe njohjet e tij me familjarët e kryeministrit Berisha, vajzës së tij Argita Berisha dhe ortakes së saj Flutura Kola.

Po të njëjtën gjë ai ka bërë edhe për kunatin e ministrit të Jashtëm Lulëzim Basha, Erion Isufin dhe ortakëritë mes tyre. Serbo-boshnjaku ka theksuar edhe njëherë, pas deklarimit të dhënë në një media kombëtare, se me studion ligjore "Malltezi&Kola" ka pasur vetëm njohje pune, pasi nëpërmjet saj ai ka kryer konsulencën juridike për shoqëritë e tij.


Ndërkohë, ka pranuar se ka qenë ortakja e vajzës së kryeministrit, avokatja Flutura Kola ajo e cila ka kryer një sërë transaksionesh bankare për llogari të shoqërive të tij.


Po kështu, prej saj janë kryer veprime edhe në momentin e shitjes së shoqërisë "Croën Acquisition", tek kompania e Fazlliç me seli në Qipro "Altarie Reserach Limited", duke qenë përfaqësuese e kësaj të fundit. Gjithashtu, ka "rrëfyer" edhe lidhjet dhe njohjet e tij me kunatin e ministrit të Jashtëm, shtetasin Erion Isufi.

Biznesmeni nga Bosnja, ka treguar se kunati i ministrit Basha ka qenë administrator i shoqërisë së tij për një kohë të gjatë dhe më pas është liruar nga kjo detyrë për shkak të hapjes së bizneseve të tij. Për një kohë, prej 2 orë e 30 minuta, Fazlliç ka dhënë versionin e tij në lidhje me akuzat e ngritura nga njësia e luftës kundër krimit ekonomik për "pastrim parash".


Pyetja


Rreth orës 16:00 të ditës së djeshme, Damir Fazlliç, i shoqëruar nga avokatët e tij, Genc Gjokutaj dhe Ibrahim Lahi është paraqitur në zyrën e prokurorëve, Dritan Rreshka e Besnik Cani, për të dhënë shpjegime në cilësinë e personit nën hetim.


Këta dy prokurorë, Cani e Rreshka, me ndihmën e një përkthyesi të prokurorisë, kanë marrë në pyetje për më se 2 orë e 30 minuta serbo-boshnjakun Fazlliç.

Ai ka pranuar të japë versionin e tij, për akuzat e "pastrimit të produkteve të veprës penale".

Gjithashtu, mësohet se njeriu i etiketuar shpesh tashmë si "miku i kryeministrit", para se t'iu përgjigjej pyetjeve të prokurorëve, më këshillimin e avokatëve mbrojtës ka dhënë një deklaratë të lirë, duke pretenduar se bizneset e tij janë në përputhje me ligjet shqiptare.


"Që nga dita e parë e ardhjes sime në Shqipëri dhe deri në ditën e fundit kur kam ikur që këtu, kam respektuar dhe respektoj ligjet e vendit.


Edhe bizneset e mia të ngritura në Shqipëri, janë bërë në përputhje me legjislacionin në fuqi për bizneset e vogla dhe të mëdha në vend dhe nuk kam kryer në asnjë rast shitje fiktive apo "pastrim parash"-mësohet të ketë thënë ndër të tjera serbo-boshnjaku Fazlliç në deklaratën e tij.


Pas deklarimeve të lira, sipas akuzës, serbo-boshnjaku ka pranuar që me ndihmën e dy avokatëve të tij t'i përgjigjet pyetjeve të prokurorëve.


Mësohet se dy prokurorët e çështjes Cani e Rreshka, gjatë "intervistës" së kryes me personin nën hetim Fazlliç, nuk kanë ngurruar t'i drejtojnë atij rreth 30 pyetje, me karakter të përgjithshëm dhe pyetje konkrete për punën dhe bizneset e tij në Shqipëri, që nga dita e hapjes së tyre e deri më sot.

Të gjitha pyetjeve të prokurorëve, mësohet se serbo-boshnjaku Fazlliç ka pranuar t'i përgjigjet, duke dhënë versionin e tij për njohjet dhe bizneset e ngritura në Shqipëri, di dhe ka kundërshtuar edhe para hetuesve për sekuestrimin e tyre.


Deklarata
FAZLLIÇ: Respektova drejtësinë Shqiptare


TIRANË- "Unë erdha këtu në Prokurorinë e Tiranës dhe dhashë dëshminë time në vijim të kërkesës që më është bërë nga Prokuroria nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë.

Pranova të vij këtu, sepse kam respektuar dhe respektoj institucionet e drejtësisë shqiptare",-tha Fazlliç, duke u larguar menjëherë nga Prokuroria e Tiranës, pasi kishte lënë pas portën e hekurt të Prokurorisë së Tiranës.

Ai u ndoq nga dy avokatët shqiptarë, Ibrahim Lahi dhe Genc Gjokutaj, të cilët nuk pranuan të bëjnë ndonjë koment për mediat, duke u larguar me një autoveturë të markës amerikane "Lincoln" me targa të Tiranës.

Pronat


Fazlliç bleu 14 hektarë tokë me 14 euro m2 në Porto Romano


TIRANË- Njësia e Task-Force-s së prokurorisë së Tiranës pas hetimeve 4- mujore ka zbardhur të gjitha kontratat e shit-blerjes së dy parcelave në fshatin Rinia të komunës Porto Romano në Durrës, ku serbo-boshnjaku Damir Fazlliç ka blerë 14 hektarë tokë.

Sipas burimeve zyrtare, mësohet se nga sekuestrimi i të gjitha kontratave të shit-blerjes ka rezultuar se kompania e drejtuar nga shtetasi Damir Fazlliç "Croën Acquisition" e cila është shitur më pas tek kompania e tij me seli në Qipro "Altarie Reserach Limited" ka blerë 140 mijë metra katror truall në dy parcela në fshatin Rinia të komunës Porto Romano në Durrës.

Kjo sipërfaqe e tokës, sipas kontratave, është blerë me shumën e rreth 2 milionë eurove, që nga një përllogaritje e thjeshtë rezulton se 1 metër katror është blerë nga Fazlliç me 14 euro.

Dyshohet se kjo shumë qesharake është vlerësuar pas "mashtrimit" të pronarëve të tokës që prona e tyre nuk është e vlefshme pasi është e helmuar. Sipas akuzës, kompania e personit në hetim serbo-boshnjakut Damir Fazlliç "Croën Acquisition" i ka blerë këto prona në dy parcela, ku njëra prej tyre ka kushtuar 900 mijë euro dhe tjetra rreth 1 milion e 75 mijë euro, ku në total kap një sipërfaqe prej 140 mijë metrave katror.


Në shtator dështoi pyetja e Fazlliç


Në muajin shtator të vitit të kaluar, serbo- boshnjaku, Damir Fazlliç, edhe pse ishte nën hetim nuk u paraqit për të dhënë deklarime në prokurorinë e Tiranës.


Ai dha një intervistë në një televizion në Tiranë dhe më pas u largua i qetë, pa u marrë në pyetje nga organi i akuzës në kryeqytet që kishte nisur ndaj tij hetimin për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale.


Ai mundi të largohej, nga territori shqiptar pak minuta përpara se kërkesa e organit të akuzës të mbërrinte në sekretarinë e komisariatit të Policisë së Rinasit.


Largimi i Fazlliçit, shkaktoi një debat mes policisë dhe prokurorisë për faktin e mos ndalimit të tij, ndërsa në fund kjo situatë u sqarua në momentin e largimit të Falliçit në sistemin TIMS, dhe në orarin e mëvonshëm të protokollimit të kërkesës së prokurorisë së Tiranës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›