Dënohet financierja e Policisë Rrugore
Majlinda Cina, sipas Gjykatës së Tiranës, duhet të vuajë tri vite burg për vjedhjen e 10 % të policëve të qarkullimit
Ekonomistja e bluve të Tiranës, u denoncua vitin e kaluar nga Auditi i Ministrisë së Brendshme për një dëm prej 9 milionë lekë të vjetra
TIRANE- Financierja e Komisariatit të Policisë Rrugore të kryeqytetit, Majlinda Cina, u dënua me tri vite burg dhe 600 mijë lekë të reja gjobë, për vjedhjen e 10 përqindshit të gjobave të policëve dhe një sasie parash nga buxheti i shtetit. Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet dha në fund të javës së kaluar, dënimin ndaj ish- financieres së Policisë Rrugore me 3 vite burg, për akuzën e "vjedhjes nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve" dhe "shpërdorimit të detyrës". Sipas vendimit të gjykatës, 42- vjeçarja Cina me banim në Selitë, është hetuar nga organi i akuzës në gjendje të lirë për disa muaj, ku dhe është provuar për fajësinë e saj. Ndaj saj, sipas vendimit, kanë filluar hetimet pas kallëzimit të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme, i cili pas një auditimi të kryer nga muaji janar deri në mars të 2008 ka konkluduar në një sërë shkeljesh të rënda në dëm të xhepave të policisë rrugore. "Auditimi, i kryer nga Ministria e Brendshme, ka zbuluar se gruaja kishte punuar paralelisht me dy lloj faturash asaj nëpërmjet Bankës së nivelit të dytë ku tërheqin rrogat efektivët e Policisë",-thuhet në vendim. Mësohet gjithashtu se ky abuzim është kryer gjatë një periudhe të konsiderueshme kohore prej tre vitesh, ku hetuesit kanë vënë re transferta të ndryshme bankare në adresë të gruas. Para këto që duheshin derdhur në llogaritë bankare të punonjësve të policisë së Qarkullimit Rrugor në Tiranë. Sipas vendimit, shuma e vjedhur nga llogaritë e punonjësve të policisë kap shifrën e 663 mijë lekëve të reja. Kjo shumë parash, sipas vendimit që "Shekulli" disponon një kopje, duhej t'iu ishin paguar policëve rrugorë, në formën e 10 % që ata përfitojnë për gjobat e faturuara prej tyre për kundërvajtësit e ndryshëm. "Kjo shumë e përfituara nga e pandehura Cina ka dalë nga akt- ekspertimi kontabël i kryer nga ekspertë të posaçëm të pajtuar nga prokuroria dhe gjykata, ku rezulton se shuma e vjedhur ndaj buxhetit të shtetit kapte shifrën e rreth 270 mijë lekë të reja. Ndërsa në total, vlera e vjedhjes arrin në shumën e rreth 9 milionë lekëve të vjetra",-thuhet në vendim. Mësohet se e pandehura Cina ka pranuar vjedhjet si në fazën hetimore ashtu edhe atë gjyqësore duke shprehur pendesë për veprimet e kryera. Sipas gjykatës "të dhënat e pasqyruara në borderotë e lartpërmendura, hidheshin nga e pandehura në pasqyrën përmbledhëse, e cila mbahej në dy kopje, të cilat depozitoheshin pranë Degës së Thesarit të Ministrisë së Financave. Më pas firmoseshin dhe vuloseshin aty të dy listë pagesat, ku njëra i kalonte bankës së nivelit të dytë ku policia tërhiqte rrogën dhe një kopje tjetër qëndronte në arkivin e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë. Gjithashtu, është konstatuar se këtyre listave i bashkëngjitej urdhërpagesa, borderoja për lloje të veçanta shpërblimesh, si dhe kopje raportesh mjekësore, etj. Këto listë pagesash firmoseshin nga titullari, Shefi i Komisariatit i këtij dikasteri si dhe nga shefja e Financës në Drejtorinë e Policisë. "Për nevoja të shpejtësisë së punës dhe për të eliminuar vonesat në kryerjen pagesave bankare, ishte menduar që po e pandehura Majlinda Cina të kishte të drejtën e firmës edhe pranë Degës së Thesarit të Shtetit, veprim ky që kryhej në rastet kur shefja e saj e kishte të pamundur të kryente këto veprime. Këto të drejta i ka shfrytëzuar e pandehura duke "mbushur" llogarinë e saj bankare nga ato të efektivëve të policisë",-thuhej në vendim. Ky vendim i togave të zeza është dhënë në aplikim të procedurave të përshpejtuara.