E Shtunë, 31 Tetor 2026

60 mijë euro për lap-topë

Nga buxheti i Kosovës sivjet janë ndarë 60 mijë euro, për blerjen e lap-topëve për 77 deputetët e rinj. Një lap-top do të paguhet 780 euro. Pas përfundimit të mandatit, deputetët i marrin këto pajisje në shtëpi. Ekspertët i shohin të paarsyeshme gjithë këto shpenzime. Nga Albulena Maloku më 25 prill 2011 në ora 10:34

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shumë privilegje. Marrin rreth dy mijë euro rrogë në muaj, honorarë për çdo seancë në të cilën ata janë pjesëmarrës, si dhe pagesë shtesë për çdo pjesëmarrje në komisionet parlamentare. E gjitha këtyre u shtohet edhe nga një dhuratë nga buxheti i Kosovës. Të gjithë deputetët që për herë të parë bëhen pjesë e legjislaturës, përfitojnë nga një kompjuter lap-top.

Saktësisht, shtatëdhjetë e shtatë deputetët e rinj të këtij mandati do të marrin nga një lap-top në vlerë prej 780 eurosh, e që kjo taksapaguesve u kushton 60 mijë euro. Kaq është vlera e mjeteve, të cilën e ka ndarë Kuvendi nga buxheti i këtij viti për blerjen e këtyre pajisjeve për të gjithë deputetët e rinj. E tani pritet të shpallet edhe tenderi për blerjen këtyre mjeteve të punës. Ndërsa, pas përfundimit të mandatit, të gjithë deputetët i marrin në shtëpitë e tyre këta lap-topë.

Mandatet e mëhershme ka qenë e obliguar që të gjithë t’i kthejnë këto mjete të punës, por kështu nuk kishin vepruar shumica e tyre. E, tani ky mjet është rregulluar nga Kuvendi që të futet në mjetet për shpenzime.

Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ka thënë për “Express” se me buxhetin e këtij viti kanë ndarë mjete për lap-topë, për të gjithë deputetët e rinj. Ai thotë se këto llogariten si mjete shpenzuese.

“Ne kemi paraparë nga buxheti mjete për lap-topët e deputetëve të rinj. E ky konsiderohet mjet i punës”, tha Krasniqi.

Ai tregon se tani janë në fazën e publikimit të tenderimit. Ndërkaq, ata që nuk janë më pjesë e nomenklaturës së re të Kuvendit, në shtëpitë e tyre vazhdojnë t’i mbajnë kompjuterët (lap-topë), të cilët i kishin marrë në mandatin sa kishin qenë pjesë e Kuvendit. Ish-deputeti i legjislacionit të kaluar, Naim Rrustemi, thotë se këtë mjet vazhdon ta ketë në shtëpi. Ai nuk e di se me çka është e rregulluar kjo çështje, që deputeti ta marrë me veti pas mbarimit të mandatit të tij.

”Unë lap-topin e kam në shtëpi, dhe nuk e di me çka është e rregulluar kjo, por me sa di, nuk është e nevojshme të kthehet pas mbarimit të mandatit”, ka thënë Rrustemi.

Ekspertë të teknologjisë informative thonë se për deputetët nuk nevojiten lap-topë të shtrenjtë, pasi ata nuk kanë aq projekte të mëdha për të punuar në të. “Me 780 euro mund të blesh një lap-top super të mirë, i cili ka shumë programe, të cilat i nevojiten vetëm një arkitekti që ka të bëjë me punë profesionale, e jo një deputeti”, thotë ky ekspert.

Sipas tij, për deputetët mund të blesh me 450 euro një lap-top shumë të mirë, pasi ata nuk kanë aq punë të ndërlikuara për të punuar në të.

Komisioni për Buxhet dhe Financa, një muaj më herët kishte përkrahur ndarjen e 60 mijë eurove për blerjen e këtyre pajisjeve për deputetet e rinj. Por, ish-deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haki Shatri, nuk e sheh shpenzim të lartë blerjen e lap-topëve për deputetët e rinj. Sipas tij, kjo është e rregulluar nga Kuvendi, që ky mjet të mbetet te të gjithë ata që më nuk do të jenë pjesë e legjislaturës.”Është mirë kjo që deputeti ta ketë këtë pajisje të tillë, pasi mund të jetë i informuar në çdo kohë dhe të lexojë ligjet në çdo vend që ndodhet”, ka thënë ai.

Të gjitha këto shpenzime hyjnë në kategorinë mallra dhe shërbime, e cila është kategoria e tretë me pjesëmarrjen më të madhe në shpenzimet e buxhetit. Për këtë vit, në kuadër të kategorisë së mallrave dhe shpenzimeve, janë paraparë rreth 162 milionë euro, përderisa për shpenzime kapitale janë planifikuar 572.5 milionë euro dhe 383.4 milionë euro për paga dhe mëditje.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›