E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punë për Florinin

Njëzet e dy deputetë i kanë nxjerrë punë Florin Krasniqit të Vetëvendosjes, duke e paditur për veprimtari kriminale, përfitime, përvetësim e shpëlarje parash. Iniciativa është marrë nga Bekim Haxhiu-Kamishi. Por Krasniqi e ndien veten fitimtar, për faktin se drejtësia nuk ndahet më me alltia, por në gjykata. Nga Jeton Musliu më 25 prill 2011 në ora 10:32

Florin Krasniqi ndoshta shpejt mund të jetë i akuzuar nga drejtësia për disa vepra penale, si pastrim parash apo përfshirje në veprimtari kriminale. Megjithatë, ai beson se është fitmitar.

Nëse për asgjë tjetër, Krasniqi, dikur pjesëtar i ish-UÇK-së e tash deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, triumfin e tij e shikon te ndryshimi i atyre që i përshkruan si “persona që dikur kanë vënë ligj e drejtësi me alltia, e tash u drejtohen gjykatave”.

Kështu ai i kundërpërgjigjet një iniciative të Bekim Haxhiut, deputetit të PDK-së në Kuvendin e Kosovës, dërguar të gjitha organeve të drejtësisë vendore e ndërkombëtare, për të hetuar të kaluarën dhe veprimtarinë e tij.

Pavarësisht kësaj, Krasniqi hiç më të rëndësishme nuk i cilëson as nënshkrimet e 22 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që e kanë mbështetur këtë iniciativë të ish-Komandant Kamishit.

Madje, në një pikë të saj, thirrjen e deputetëve për hetim të veprimtarisë së tij, Krasniqi e cilëson ‘gafë të madhe publike’.

Në këtë rast bëhet fjalë që, përveç Prokurorisë së Shtetit, asaj Speciale të EULEX-it, apo Prokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Florin Krasniqi të hetohet edhe nga Zyra Federale amerikane për Investigime (FBI).

“Kjo është një gafë e madhe publike. Ka mbetur Kamishi t’i tregojë FBI-së se kë duhet ta hetojë apo t’i tregojë se kush jam unë“, thotë Krasniqi për Express.
Pavarësisht kësaj, në dokumentin e siguruar nga gazeta, deputeti Haxhiu dhe deputetët e tjerë që kanë nënshkruar iniciativën për hetime, kërkojnë që Krasniqi të hetohet për veprimtari të dyshuar kriminale, për përfitime dhe përvetësim parash dhe aseteve të patundshme të pasurisë, shpërlarje parash dhe vjedhje në dëm të taksapagueseve kosovarë dhe atyre amerikanë.

E tërë thirrja për hetim bazohet në katër pika. E para mbështetet në faqen 282 të librit “Mos kij frikë se i ke djemtë në Amerikë: Si e futi pullazxhiu Amerikën në luftë në Kosovë?” të Stacy Sullivan. Sipas iniciativës së deputetëve, në vitin 1998-99 Krasniqi kishte bankrotuar. Për këtë arsye, deputetët kosovarë iu kërkojnë autoriteteve amerikane të japin informacion mbi gjendjen e pasurisë dhe deklarimet financiare të tij për atë periudhë kohore.

Por në lidhje me tërë këtë çështje, Krasniqi thotë se “mënyra se si është përpiluar kjo padi, është pa lidhje”.

Për këtë, ai beson se ka fakte. “Libri nuk është imi, por i autores. Ka intervistuar diku 476 persona dhe ka punuar pesë vjet. Libri është tërësisht i saj. Unë nuk e kam promovuar, as nuk e kam financuar dhe asgjë tjetër. Madje, as në promovim të librit nuk kam qenë, sepse nuk kam lidhje me këtë”, thekson Krasniqi.

Por në thirrjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të hetuar Krasniqin, përmendet edhe një intervistë e tij, në të cilën ai ka deklaruar se gjatë periudhës 1998-1999 ia ka dalë që i vetëm të mbledhë, në emër të kontributeve të luftës, një sasi të hyrash financiare prej 30 milionë dollarësh amerikanë.

“Për më tepër, Florin Krasniqi në rrethana misterioze përmend marrjen e një shume marramendëse parash rreth 5 milionë dollarësh vetëm nga një person i paidentifikuar që, sipas tij, merrej me mbledhjen e kanaçeve”, shkruan më tej në këtë dokument, duke sqaruar se ato para nuk figurojnë as në Fondin “Vendlindja Thërret” dhe as në atë të Trepërqindëshit.

“Florin Krasniqin, pas luftës në Kosovë, e gjejmë në një mori biznesesh në Kosovë, që për rrethanat tona dhe gjendjen e vetëdeklaruar financiare të Florin Krasniqit lë shumë për të dyshuar dhe kërkuar të vërtetën, për shumën e parave të financuara në projekte, jetën e tij luksoze dhe pasuritë e vëna në familjet dhe fëmijët e tij në SHBA, Suedi dhe Kosovë, si dhe nga shpenzimet marramendëse të udhëtimeve, hoteleve, pushimeve dhe pagesave për ‘këshilltarët dhe ortakët e tij’, kosovarë dhe ndërkombëtarë”, shkruan më tej në iniciativën e deputetëve.
Aty përmendet edhe blerja e Fabrikës së Autopjesëve në Pejë me shumë prej 2.8 milionë eurosh, e cila cilësohet “qesharake”.

Sa u përket këtyre dyshimeve, Florin Krasniqi shpjegon se të gjitha dokumentet janë të hapura për publik në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP). “Në atë kohë, në AKM zëvendësdrejtor ka qenë Ahmet Shala dhe gati gjysma e bordit kanë qenë anëtarë të PDK-së. Sa për hidrocentralet që përmenden, janë dokumentet dhe ato mund të gjenden në AKP”, sqaron Krasniqi.

Pavarësisht kësaj, në iniciativën për hetim të tij, të ndërmarrë nga deputetët, Krasniqi cilësohet edhe si person mbi të cilin ekziston dyshimi i bazuar për përfshirje në veprimtari të dyshimta kriminale dhe të manipulimit me të vërtetën.

“Aq më tepër kur ka indikacione të qarta që, në së paku tri raporte ndërkombëtare - atë të Dick Martyt, David Philipsit dhe Global Postit, ky person qëllimshëm, me paramendim, ka dëmtuar rëndë reputacionin e kombit dhe shtetit të vet, ka manipuluar dhe gënjyer qëllimshëm opinionin publik ndërkombëtar dhe kosovar, duke e paraqitur Kosovën si pjesë të vendeve pa funksionim të ligjit dhe pa perspektive politike dhe ekonomike“, thuhet në dokument, në të cilin edhe iu bëhet thirrje organeve të drejtësisë të merren me këtë rast.

Kjo është hera e parë që një grup deputetësh të Kuvendit të Kosovës dorëzojnë në Prokurori një kërkesë për hetim të një deputeti tjetër.

Mbaron diskutimin
Në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, Bekim Haxhiu-Kamishi, nga radhët e PDK-së, duke bërë publike iniciativën e tij për padi ndaj Florin Krasniqit, ka thënë se me të dorëzuar dokumentin në prokurori, i jep fund diskutimit me të.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›