Flet për njohje
Ende pa e pranuar zyrtarisht postin e Zëvendëskryeministrit të Parë në Qeveri, Behgjet Pacolli lëshon paralajmërimet e para për njohje të reja për Kosovën.
I kthyer nga një vizitë në kapacitet personal në Islamabad, Pacolli ka dhënë deklarata se Pakistani, Bangladeshi dhe Sri Lanka shpejt mund ta njohin Republikën e re.
“Unë jam i bindur se Pakistani shumë shpejt do ta njohë Kosovën. Isha edhe në Bangladesh, kështu që këto dy shtete të fuqishme mund ta njohin Kosovën shumë shpejt. Dhe, pas këtyre shteteve do ta ketë lehtë edhe Sri Lanka ta njohë Kosovën”, ka thënë Pacolli në një intervistë për TV Dukagjinin, të transmetuar të dielën.
Pacolli, i cili thotë se i ka sjellë Kosovës një numër të konsiderueshëm të njohjeve edhe më herët, ka dhënë deklarata për njohje të reja, disa prej të cilave ende nuk janë realizuar.
Me gjithë paralajmërimet për tri njohje të reja për Kosovën, në Ministrinë e Jashtme nuk komentojnë asgjë.
Zëdhënësi i MPJ’së, Artan Behrami thotë se nuk mund të japin deklarata sa u përket njohjeve, para se t’i marrin notat verbale nga shtetet qe e kanë njohur Kosovën.
“Vetëm atëherë kur një shtet na pranon, Ministria e Punëve të Jashtme del dhe tregon që na ka pranuar ai shtet”, ka thënë Behrami për Express, të dielën.
Megjithëkëtë, ish-presidenti Pacolli ka thënë se po vazhdon lobimin për njohje të reja.
“Unë jam në veprim dhe nuk do të ndalem asnjëherë dhe besoj se do të ketë suksese”, ka shtuar ai.
Ish-lideri i AKR’së ka deklaruar se ka bërë përpjekje për të takuar zyrtarët e Indisë, por Ministri i Jashtëm indian nuk ka pranuar.
“Unë kam dashur të interferohem dhe të kem kontakt bile me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Indisë. Ai ka refuzuar të më takojë mua dhe unë nuk kam insistuar, e kam lënë ashtu. Do të mundohem diku verës edhe një herë ta takoj Kryeministrin e Indisë”, ka thënë Pacolli.
Ai ka thënë se pas Pakistanit, ka udhëtuar për në Kazakistan, ku ka folur me Kryeministrin indian, Manmohan Singh, por se nuk ka mundur t’i kërkojë njohjen e Kosovës për shkak se takimi ka qenë i shkurtë.
“Ai (Manmohan Singh) ishte në një vizitë në Kazakistan tani. Unë udhëtova atje për ta takuar atë. Unë e takova atë, por nuk e pata mundësinë të bisedoj për njohjen, sepse nuk premtoi koha, ishte një takim shumë, shumë i shkurtë në hollin e hotelit – nuk ishim ulur askund. Por, sidoqoftë, ia zgjata dorën dhe ai thotë se do të takohemi shumë shpejt. Unë pres vizitën e tij të radhës në Londër dhe unë jam duke punuar që ta takoj dhe të bisedoj drejtpërsëdrejti”, ka treguar Pacolli.
Ndryshe, Kosova deri më tani është njohur nga 75 vende të ndryshme të botës, prej të cilave gjashtë nota verbale kanë ardhur pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e ka legjitimuar pavarësinë e shpallur në shkurt të vitit 2008.
Megjithëkëtë, ish-ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni pati paralajmëruar se pas vendimit të GJND’së, Kosovën do ta njohin 35 vende të botës.
Edhe ish-presidenti Fatmir Sejdiu në atë kohë kishte dhënë sinjale se Kosova do të njihet nga shumë vende.
Ndërkohë, Kryeministri Hashim Thaçi pas shpalljes së Pavarësisë pati thënë se rreth njëqind vende janë duke pritur ta njohin Kosovën. Asnjë nga këto nuk janë realizuar.
Dialogu pengon njohjet
Behgjet Pacolli thotë se edhe bisedimet që po zhvillohen me Serbinë janë pengesë për njohje të reja për Kosovën.
“Kosova do ta ketë vështirë për shkak të imazhit shumë të dëmtuar, edhe për shkak të kësaj spiraleje që janë hapur - bisedimet. Shumë shtete thonë se ju jeni duke biseduar tash – rregulloni marrëdhëniet me Serbinë dhe ne ju njohim më vonë”.
Dialogu Kosovë – Serbi është duke u zhvilluar në Bruksel me ndërmjetësimin e BE’së, ku janë paraparë të diskutohen tema që kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së qytetarëve të të dy vendeve.