E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pacollin nuk e josh posti i zv/kryeministrit

PRISHTINE-Behxhet Pacolli është bërë pishman pse ka pranuar dy javë më parë postin e zëvendëskryeministrit. Burime nga Koha Ditore bëjnë të ditur se këtë Pacolli do ja bëjë të ditur së shpejti Thacit.
Sipas gazetës, “Pacolli po do që, qysh tani, të nisë përgatitjet për të kandiduar për postin e presidentit të Kosovës në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë të shtunën një burim i gazetës, i afërt me Pacollin. “Ai nuk po sheh veten person të qëlluar për postin e zëvendëskryeministrit”.
Behxhet Pacolli është emëruar zëvendëskryeministër pak ditë pasi hoqi dorë nga të qenit kandidat i koalicionit qeverisës për president, duke evituar bojkotin e opozitës në seancën kur është zgjedhur në të njëjtën post, Atifete Jahjaga.
Në fakt, ai ka ushtruar postin e kreut të shtetit 35 ditë, por ishte detyra ta braktiste, pasi Gjykata Kushtetuese nxori përfundimin se zgjedhja ishte jokushtetuese, edhe për faktin se në seancën kur ishte votuar për të nuk ishin prezentë së paku dy të tretat e deputetëve.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›