E Shtunë, 31 Tetor 2026

600 mijë nxënës, me kompjuterë pa internet

"Deri tani, 44% e nxënësve të arsimit bazë 9-vjeçar, pra të rreth 600 mijë shkollarëve të këtij sistemi, kanë në institucionet e tyre arsimore TIK-Kabinete, apo kabinete informatike ku mësohet përdorimi i kompjuterit, i internetit dhe i teknikave dixhitale". Përmes një deklarate të tillë, Ministria e Arsimit ka raportuar mbi ecurinë e projektit të shkollave me Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit. Ndërkohë që nuk është dhënë asnjë informacion se në sa për qind të këtyre kabineteve funksionon shërbimi i internetit për nxënësit. Kjo pasi në një vëzhgim të kohëve të fundit, të realizuar nga emisioni "Fiks Fare" në "Top Channel" rezultonte se në asnjërin nga kompjuterët e instaluar në shkolla nga ky projekt i MASH-it nuk kishte "gjurmë" interneti. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e ministrisë bëjnë bilancet dhe krahasimet, duke thënë se "deri vitin e kaluar asnjë shkollë e arsimit bazë 9-vjeçar nuk ishte pajisur me TIK-Kabinete. Siç kemi deklaruar edhe më parë, në dhjetor të vitit të kaluar, të gjithë nxënësit e arsimit të mesëm, rreth 150 mijë, kanë TIK-Kabinete në shkollat e tyre. Në vitin 2005, vetëm 7 për qind e tyre e kishte këtë mundësi".

Ndërsa u theksua se objektivi i ministrisë është që "brenda vitit, të gjitha shkollat e arsimit para universitar të pajisen me TIK-Kabinete dhe të furnizohen me internet".
Gjithashtu, përfaqësuesit zyrtarë të Ministrisë së Arsimit kanë sqaruar se TIK-Shkollat do të jenë një vatër trajnimi e komunitetit për përdorimin e kompjuterit dhe internetit.
"Projekti TIK-Shkollat është komponent qendror i nismës së qeverisë për ta përfshirë Shqipërinë në epokën dixhitale", pohojnë përfaqësuesit e ministrisë. Por duket se MASH-i ka harruar një element, ndoshta më të rëndësishmin. Kompjuteri pa shërbimin e internetit qëndron shumë larg informacionit dixhital në kohë reale.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›