E Hënë, 2 Nëntor 2026

600 milionë lekë janë vjedhur prej makinave

14/03/2005  Bano zbardh abuzimet e ministrave me karburantet

Kryetari i Komisionit Hetimor për tenderat dhe prokurimet në qeveri, Ilir Bano, ka denoncuar dje, shkeljet që bëjnë ministrat me karburantin. Sipas Banos, nga 1,21 miliardë lekë që buxheti i shtetit jep për këtë zë të shpenzimeve, 50 për qind vidhen. "Qeveria shqiptare dhe disa institucione, shpenzojnë 1,21 miliardë lekë karburante në një vit. Sipas shembujve që jep Kontrolli i Lartë i Shtetit, deri në 50 për qind e karburantit vidhet ose shpërdorohen në destinacione të ndryshme", tha Bano në një konferencë për shtyp. Duke përforcuar këtë qëndrim, Bano thekson se çmimet e kontraktuara, kanë diferenca deri në 14 për qind për të njëjtin artikull nga njëra ministri tek tjetra. "Gjithkush e kupton se, për nevoja pune të ministrave dhe zëvendësministrave tanë, nuk udhëtohet në të gjithë ditët e vitit, 200 km në ditë, ose duke hequr ditët e pushimit e të udhëtimit jashtë shtetit me afër 300 km në ditë pune. Çdokush e di që për kohën kur janë në Shqipëri, këta drejtues shumicën e ditëve rrinë dhe duhet të rrinë për të punuar në zyrat e tyre në Tiranë", tha Bano, duke vlerësuar se është e pamundur që një sasi e tillë karburanti të shpenzohet në një ditë. Sipas tij të dhënat janë marrë nga vitit 2002 dhe 2003. Gjithashtu, Bano ka bërë të ditur se, dhe gjatë këtyre ditëve, do të vijojë denoncimi i abuzimeve të ministrive në tendera dhe në shpenzime të tjera.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›