Durrës, anijet e mbytura mund të shkaktojnë katastrofë ekologjike
Durrës - Peshkatarët e Portit të Durrësit janë vënë në alarm pas aksidentit të ndodhur mëngjesin e së shtunës. Ata janë gati të nisin protestat pasi anijet e tyre rrezikohen të fundosen të gjitha, ndërkohë që nafta që mund të dalë nga serbatorët e tyre do të thotë alarm ekologjik për Durrësin. Aktualisht ambienti kërcënohet seriozisht nga rreth 10 mijë litra naftë që ndodhen ende në tre anijet tashmë në fund të detit, prej dallgëve të ditës së shtunë. Gjithashtu në rrezik është një anije e dëmtuar, me kapacitetet 80 tonë ngarkesë, e mbetur mes dy anijeve të mbytura. Sipas burimeve nga porti bëhet e ditur se anija rrezikon të mbytet nga forca e dallgëve. “Ne kemi vënë në dijeni kapitanerinë, por deri tani nuk është marrë asnjë masë prej tyre”, – tha Met Kala, pronari i njërës prej anijeve. Një tjetër pronar peshkarexhe ka kërkuar urgjentisht ngritjen e një porti të posaçëm për peshkarexhat. “Është nevojë urgjente që peshkarexhat të kenë portin e tyre, pasi ato rrezikohen nga momenti në moment nga tragetet kur hyjnë në port, ose kur janë të ankoruara”, – tha Ylli Qenani, pronari i peshkarexhës. “Ne paguajmë taksat në shtet, paguajmë të gjitha detyrimet dhe kur vjen puna, asnjë nuk merr përgjegjësi për sigurinë tonë”, - tha Klodian Kapiti, pronar i peshkarexhës së mbytur ditën e shtunë.
Mësohet gjithashtu se peshkatarët e dëmtuar kanë hedhur në gjyq kompaninë italiane për dëmshpërblim, pas dëmeve të mëdha që u shkaktoi me mbytjen e peshkarexhave në Portin e Durrësit. Pas ngjarjes që ndodhi të shtunën mësohet se në gjyq kompaninë në fjalë e ka hedhur edhe Kantieri i Durrësit për dëmtimin që i shkaktoi dogut të madh lundrues. Sipas një llogarie të bërë nga sindikata, dëmi i shkaktuar në total arrin shifrën e 500 mijë eurove.
BOX
Parashikimi, sot temperaturat zbuten me tri gradë
Vendi ynë do të ndikohet sot nga fusha barike e presionit atmosferik të ulët, me qendër kryesore në veri të Europës. Masat ajrore që qarkullojnë do të jenë të paqëndrueshme në shtresat e larta të atmosferës. Moti në pjesën e parë të ditës parashikohet të jetë kryesisht i vranët dhe në pjesën e dytë me intervale kthjellimi. Era do të fryjë me shpejtësi deri në 15 m/sek. në drejtimin jugperëndim - juglindje. Valëzimi në bregdet parashikohet të jetë deri në 6 ballë.
Temperaturat më të ulëta dhe më të larta në qytetet kryesore parashikohen si më poshtë:
Tirana 3 dhe 15
Shkodër 2 dhe 10
Durrës 4 dhe 18
Lezhë 4 dhe 12
Kuçovë 3 dhe 17
Gjirokastër 5 dhe 10
Elbasan 3 dhe 16
Kukës -2 dhe +9
Peshkopi -2 dhe 7
Korçë -2 dhe 5
Vlorë 5 dhe 19
Sarandë 4 dhe 17
25 Nentor 2008