65 ndërtime mbi kolektor, komunat nuk marrin masa
Fier
Fieri është pothuaj i pambrojtur nga përmbytjet. Shumë zona të tij janë të rrezikuara nga vërshimi i ujërave të lumenjve dhe përrenjve, si shkak i dëmtimit të argjinaturave të tyre. Janë me dhjetëra objekte pa leje të ndërtuara mbi kolektorë, të cilat e rrezikojnë seriozisht Fierin nga përmbytjet. Të dhënat zyrtare nga ndërmarrja e bordit të kullimit të ujërave, institucion ky menaxhues i kolektorëve, tregojnë se identifikimi i 65 ndërtimeve pa leje është kryer gjatë një aksioni të ndërmarrë në prag të dimrit, gjatë muajit tetor. Inspektorët kanë kryer kontroll gjatë muajit tetor të të gjitha argjinaturave, kolektorëve dhe kanaleve bonifikues të tokave bujqësore dhe kanë identifikuar se 65 objekte pa leje i kanë cenuar këto kanale kullues dhe ujëmbledhës. Pas identifikimit të këtyre ndërtimeve pa leje mbi kolektorë, bordi i kullimit u është drejtuar zyrtarisht njësive vendore, në mënyrë që të ndërhynin për prishjen e tyre. Por një gjë e tillë ende nuk është realizuar nga njësitë vendore, ndonëse kërkesa u parashtruar mbi 4 herë zyrtarisht. Bordi i kullimit, duke parë indiferentizmin e komunave, i është drejtuar me një raport dhe kërkesë prefekturës, nga ku priste ndërhyrjen e saj për të vënë në lëvizje komunat. Por as kjo e fundit ende nuk ka ndërmarrë ndonjë masë. Kujtojmë se gjatë muajit dhjetor, shumë banesa u përmbytën nga dalja e lumenjve Vjosë e Seman, ndërkohë që 520 ha tokë bujqësore u dëmtuan si shkak i mosfunksionimit të kanaleve kullues dhe ujëmbledhës të tyre.
#