E Diel, 1 Nëntor 2026

Familjet e përmbytura nuk pranojnë të kthehen në shtëpi

Shkodër
Në lagjen “Livade”, jeta është ende e vështirë, pavarësisht largimit të ujit

Ndonëse uji është larguar plotësisht nga zonat e përmbytura të Shkodrës, dhjetëra familje ende nuk janë kthyer nëpër shtëpitë e tyre dhe vazhdojnë të jetojnë në qendrat e pritjes. Shkak janë banesat krejtësisht të pabanueshme dhe ndotja ekologjike që u krijua nga përzierja e ujërave të zeza me ato të bardha. Një nga zonat problematike mbetet lagjja periferike e Livadeve në Shkodër. Banorët kanë nxjerrë jashtë të gjitha orenditë shtëpiake, pasi uji ka shkatërruar gjithçka. Tashmë atyre nuk u ka mbetur asgjë, vetëm muret e shtëpisë, por dhe ato janë të plasaritura në disa vende nga qëndrimi për disa ditë në ujë. Banorët e zonës shprehen se nuk do të kthehen në banesa deri sa dëmet të verifikohen dhe shtëpitë e tyre të bëhen të banueshme. Një nga banorët e kësaj lagjeje, Ardit Arazi, duke folur për gazetën shprehet se “kam një muaj që jetoj në hotel ‘Rozafa’. Nuk kam ku të kthehem, sepse uji ka shkatërruar gjithçka që kisha në shtëpi, duke filluar nga dyshekët, raftet, televizori, frigoriferi, lavatriçja. çdo gjë që kisha në shtëpi, të gjitha i kam nxjerrë jashtë. Brenda shtëpisë nuk ka ngelur asgjë, madje dhe muret kanë nisur të marrin plasaritje. Nuk kemi ku të futemi ndaj nuk kthehemi, ne mund të hyjmë në shtëpi vetëm kur të marrim paratë e dëmshpërblimit dhe me ato para ta nisim nga e para. Në këtë situatë është pothuajse e gjithë kjo lagje. Këtu njerëzit janë të varfër dhe nuk kanë mundësi ekonomike që t’i rikuperojnë vetë dëmet që u shkaktoi përmbytja. Njerëzit janë me sy e veshë nga qeveria, pasi vetëm kur të na japin paratë, ne mund t’i kthehemi jetës normale. Shpresojmë që pas verifikimit të dëmeve shteti të mos na i vonojë paratë, pasi jemi familjarë me fëmijë dhe mbetëm rrugëve”. Lagjja e Livadeve është një ndër zonat më të prekura nga përmbytjet në periferi të Shkodrës. Në këtë zonë, mbi 100 banesa u përmbytën dhe mbi 100 persona ende nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre, edhe pse uji është larguar. Ndërkohë, grupet e verifikimit të dëmeve, prej disa ditësh vazhdojnë inspektimet në terren. Gjatë pesë ditëve të para të punës, ekspertët kanë verifikuar 531 banesa, 381 subjekte bujqësore dhe 481 subjekte blegtorale. Puna e ekspertëve është shtrirë në 8 komuna dhe Bashkinë Shkodër. Janë gjithsej 9 grupe ekspertësh në terren, nga një grup për çdo zonë të përmbytur.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›