E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uniformat e policisë, prej 6 vitesh një odise dështimesh

Kryepolici Burgaj premton: Këtë vit, zgjidhja e tyre është prioritare
Odiseja e uniformës së policisë duket se nuk ka të sosur. Ka kaluar edhe viti 2009 dhe pavarësisht se prej vitesh flitet për uniformat e reja të Policisë së Shtetit, ende nuk është realizuar asgjë. Por, për vitin 2010, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka deklaruar se e ka prioritet zgjidhjen e këtij problemi. Kështu është deklaruar edhe vitet e tjera, megjithëse ende nuk është realizuar një gjë e tillë. Të vetmit që sot kanë uniformë me shenja të reja janë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, pesë zëvendësdrejtorët e tij, si dhe një numër shumë i vogël drejtorësh të tjerë.
Dështimi
Ky problem, në vite nuk ka marrë zgjidhje. Edhe viti 2009 që lamë pas, nuk e realizoi një gjë të tillë. Por, vitet e tjera kanë qenë edhe më problematikë. Herë pas here, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit hapnin tender për uniformat e Policisë së Shtetit. Ndonjëherë këta tenderë anuloheshin që në konkurrim, por nuk kanë munguar rastet që firmat nuk i kanë realizuar në kohë dhe nga gjobat e marra i kanë lënë përgjysmë. Kështu ka ndodhur edhe me uniformat e drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit, të cilët i kanë marrë uniformat e tyre sa për imazhin përballë komunitetit, ndërsa efektivët e tjerë ende vazhdojnë me uniformat e vjetra. Madje, po të shikohen në rrugë, mund të kuptohen lehtë sesa vjeçare i kanë ato uniforma që mbajnë në trup.
Premtimi
Megjithatë, për këtë vit drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, i cili edhe në funksionin e mëparshëm ka qenë pranë këtij problemi, është shprehur i vendosur që këtë vit do të realizojë uniformat e reja të Policisë së Shtetit. Në analizën e policisë, Burgaj deklaroi se një ndër prioritetet kryesore për këtë vit është sigurimi i uniformës së re, e cila mund të quhet një revolucion më vete në ndryshimin e imazhit të Policisë së Shtetit para komunitetit. Por, faza për uniformat e reja dhe revolucionin në imazhin e policisë ka nisur vite më parë. Iniciativa për realizimin e këtij procesi buron nga kërkesat e ligjit nr.9749 datë 04.06.2007 “Për Policinë e Shtetit” dhe domosdoshmëria për një prezantim sa më dinjitoz, për përmirësimin e performancës së Policisë së Shtetit dhe të rritjes së anës funksionale të objekteve të uniformës.
Përgatitja
Madje, më 1 tetor të vitit 2008 është zhvilluar edhe faza përmbyllëse e konkurrimit të dizajnimit, modelimit dhe kostumit të uniformës së re, shenjave, stemave, emblemës dhe gradave për punonjësit e Policisë së Shtetit. Ky proces ka filluar në muajin janar 2008 dhe natyrshëm ka kaluar në disa faza, që nga hartimi i detyrës së projektimit, marrjes së mendimeve nga strukturat përfituese, miratimit në grupin e politikave dhe tenderimit për përzgjedhjen e subjektit që do të realizonte detyrën e projektimit. Në këtë proces kanë kontribuar specialistë të të gjitha shërbimeve policore, por dhe historianë, heraldistë, etnografë, pedagogë të universitetit shtetëror, përfaqësues nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit.
Në vite...
Sivjet bëhen gjashtë vjet nga miratimi i uniformës së policisë. Ajo, jo se nuk ka pasur uniformën e saj, por në zbatim të nenit 35 (Uniforma dhe Shenjat e Policisë) të ligjit nr. 8553, datë 25.11.1999 “Për Policinë e Shtetit”, nga një proces 3–vjeçar, duke ruajtur fizionominë dhe traditën dhe për të ardhur në uniformën dhe shenjat e Policisë së Shtetit të vitit 2004, u përmirësua dhe u kompletua me shenja e simbole uniforma e vitit 1998, e cila ishte miratuar me VKM nr. 332, datë 02.06.1998. Kjo ndodhi pasi policia shqiptare nuk do të ishte më pjesë e Forcave të Armatosura, por pjesë e administratës publike, një polici qytetare, komunitare. Policia me ligj, për herë të parë do të kishte simbolet e veta (Flamurin dhe Stemën), gradat në formë dhe në model ndryshe nga Forcat e Armatosura e strukturat e tjera të shtetit, që trajtohen me uniformë. Po kështu, uniforma do të kompletohej me stemat e krahut sipas shërbimeve të policisë dhe shenja të tjera.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›