Vdekja e 58-vjeçares në QSUT, pritet raporti i ekspertizës
Hetimet
Dyshohet se Drita Gixhari ndërroi jetë nga një trombozë
Prokuroria e Tiranës ka marrë në dorë hetimet për zbardhjen e vdekjes së mistershme të 58-vjeçares Drita Gixhari, dy ditë më parë në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë. Për këtë çështje është ngritur një grup hetimor, i cili po bashkëpunon me oficerët e policisë gjyqësore dhe me ekspertet mjekoligjorë. Paraprakisht dyshohet se 58-vjeçarja ka ndërruar jetë nga tromboza në venën që furnizon zorrët me gjak. Vdekja e gruas la hije të mëdha dyshimi për të afërmit e saj, që vetëm pak orë pasi Drita Gixhari ndërroi jetë, iu drejtuan Komisariatit Nr. 4 për ngritjen e një padie ndaj bluzave të bardha të spitalit numër 2 për neglizhencë dhe mjekim të pakujdesshëm. Grupi i ekspertëve mjeko-ligjorë ka nisur punën për zbardhjen e së vërtetës rreth vdekjes së saj dhe punës së mjekëve. Dyshimet qëndrojnë në mosdhënien e ndihmës në kohë. Sikundër deklarojnë familjarët, ata u paraqitën në spital në mesnatë, ku u pritën nga mjeku roje, i cili pasi vizitoi 58-vjeçaren vendosi t’i bëjë 2 injeksione qetësuese e më pas ta dërgojë në shtëpi pasi, sipas tij, nuk paraqiste shqetësime. Gruaja ka vijuar të ketë shqetësime, ndërsa djali i saj dhe bashkëshorti janë rikthyer në spitalin numër 2 në orën 06.00 të mëngjesit. Nga kjo orë deri në orën 10.00 të paradites së djeshme ata janë detyruar të presin derisa një mjek u ka komunikuar se 58-vjeçarja duhet të shtrohej në pavijon. Në momentet që plotësohej kartela, gruaja pati komplikacione dhe mjekët u detyruan ta dërgonin në reanimacion prej nga nuk mundi të dalë e gjallë. E gjitha procedura e pacientes është sekuestruar nga prokuroria dhe rezultatet e hetimit do të publikohen në ditët pasardhëse.
#