E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta e fermerëve të Frakullës, bllokohen punimet e autostradës Fier-Tepelenë

Fier

Dhjetëra banorë të Komunës Frakull në Rrethin e Fierit, për të tretën ditë radhazi kanë penguar punimet e autostradës Fier-Tepelenë. Shkak janë bërë punimet e dobëta, të cilat kanë bllokuar kanalet kullues të tokave të tyre. Fermerët shprehen të vendosur për të mos toleruar, ndërkohë që firma ndërtuese e autostradës Fier-Tepelenë nuk ka dhënë asnjë reagim. Janë dhjetëra banorë të fshatit Kafaraj në Komunën Frakull, ata që kanë bllokuar punimet. Sipas protestuesve, dy objekte të autostradës kanë bllokuar disa kanale kulluese e për pasojë janë përmbytur mbi 150 ha tokë bujqësore. Të irrituar banorët janë shprehur se nuk do të lejojnë që autostrada t’u dëmtojë djersën dhe mundin e familjes. “Nuk do të lejoj që burimi i të ardhurave të familjes sime të dëmtohet më tej nga autostrada. Shteti le të ndërhyjë për të dhënë zgjidhje. Përballë rrugës dua më shumë bukën e fëmijëve”, është shprehur Agur Kapa. Ndërkaq, kryetari i Komunës Frakull, Viktor çervanaku, është shprehur se mbështet banorët. “Ndërtimi i objekteve të autostradës mbi nivelin e tokave bujqësore shkatërron burimin kryesor të bashkëfshatarëve të mi. Ashtu si ata, edhe unë jam i dëmtuar dhe rrezikuar. I jemi drejtuar prefekturës dhe qarkut për ndërhyrje, ndërkohë që edhe firma duhet të reagojë përballë kërkesave të dhjetëra fermerëve”, ka thënë kreu i komunës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›