Prokuroria kërkon njohjen e vendimit italian për Begën
Edmond (Manoli) Bega është dënuar për shpërndarje të lëndëve narkotike
Prokuroria e Përgjithshme kërkon në Gjykatën e Tiranës njohjen e vendimit penal italian për shtetasin Edmond Bega, i arrestuar në muajin dhjetor të vitit të kaluar. Kërkesa është regjistruar në gjykatë dhe mban numrin 280. Lloji i çështjes është “njohje e vendimit penal të huaj”, ndërsa gjyqtari që do e gjykojë këtë çështje është Petrit çomo. 39-vjeçari Edmond Bega njihej si anëtari i Bandës së Lushnjës, e cila merrej me trafikun e drogës në Itali, ku kishte arritur të ngrinte një grup të sofistikuar kriminal. është dashur ndërhyrja e Shërbimit Sekret Ushtarak italian që të mundësohej shpërbërja e këtij rrjeti, i cili kishte përfituar miliona euro nga aktiviteti i paligjshëm. Policia e Shtetit në Shqipëri ka pranuar se “personi i arrestuar orientonte mënyrën e shpërndarjes dhe administrimit të parave të përfituara nga trafikimi i lëndëve narkotike”. Policia deklaron se po hetojnë aktivitetin e tij kriminal, veçanërisht në kohën e lidhjeve të tij me Alfred Shkurtin. Gjithashtu, kanë mbledhur mjaft informacione edhe për pasuritë e vendosura nga banda. Krahas aktivitetit kriminal, policia italiane ka zbardhur disa përgjime të telefonave të anëtarëve të bandës. Drejtuesit e kësaj organizate të shtrirë në disa shtete e kishin ndarë Italinë në dy pjesë, duke krijuar dy grupe pothuajse të pavarura nga njëri-tjetri. Grupi që vepronte në veri të Italisë fillimisht e ka pasur qendrën në Torino, por pasi iu sekuestruan disa ngarkesa me drogë nga policia, e zhvendosi bazën në qytetin e Milanos. Ky grup kishte për objektiv shpërndarjen e heroinës dhe kokainës në Veriun e Italisë. Sipas Prokurorisë së Torinos, në krye të këtij grupi ka qenë Edmond Bega, i njohur në Shqipëri si ish-president i skuadrës së Lushnjës.
#