65 shtete njohën pavarësinë e Kosovës, mposhtet lufta diplomatike e Serbisë
Që prej datës 17 shkurt 2008, e deri në muajin shkurt të këtij viti janë plot 65 shtete ato të cilat kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Pavarësisht këtij fakti, presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu ka theksuar se pritjet për njohjen ndërkombëtare të Kosovës kanë qenë më të mëdha. Por sipas tij, kjo gjë ka qenë e pamundur, edhe për shkak të procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë edhe për shkak të luftës diplomatike të Serbisë kundër njohjes së Kosovës.
Mund të them se pritjet tona për njohjen e Kosovës, kanë qenë më të mëdha, por kemi pasur edhe shumë pengesa. Serbia me aleatët e saj ka bërë një presion të vazhdueshëm te shumë vende për të ndalur ecjen e tyre në drejtim të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Me vendosjen e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare, ka pasur edhe disa vende që kanë thënë se kanë dashur të presin vendimin e gjykatës, u shpreh ai, ku shtoi se Kosova ka qasjen e vet për ti integruar serbët, por jo për të vënë kontroll mbi ndjenjën e tyre shpirtërore, apo për ti bërë qytetarë të rendit të dytë. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, vlerëson funksionimin si shtet të Kosovës përgjatë këtyre dy viteve, duke theksuar se ka bërë maksimumin e saj. Në një intervistë dhënë për BBC, presidenti Sejdiu u shpreh se Kosova është përballur me sfida të mëdha gjatë dy viteve të para të funksionimit të saj si e pavarur, në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm. Duke pasur parasysh kohët e rënda që kemi kapërcyer, me kërcënim deri në zhbërje, unë them se Kosova gjatë këtyre dy viteve ka realizuar optimumin e projekteve që ka pasur, që të dëshmojë vetveten si një vend i qëndrueshëm, si një vend që është në kërkim të vazhdueshëm të ndërtimit dhe të funksionimit të demokracisë, si një vend që bën përpjekje që të ketë një qeverisje të mirë për qytetarët e vet. Natyrisht se këtë kohë e përcjellin një varg problemesh ose rrethanash objektive me të cilat është përballur, duke u nisur nga ato që lidhen me zhvillimin ekonomik të vendit, ato që kanë të bëjnë me përpjekjet për të destabilizuar vendin, sidomos investimet e vazhdueshme nga ana e Republikës së Serbisë, u shpreh Sejdiu, për të shtuar se kjo do të diskutohet në dimensione të tjera që kanë të bëjnë edhe me reflektimet ndërkombëtare që Kosova ka përjetuar dhe i ka në ambicje. Presidenti Sejdiu vlerësoi arritjet e Kosovës, duke renditur faktin se ka siguruar 65 njohje, ka hapur 21 misione diplomatike në nivel ambasadash, është pranuar në Bankën Botërore dhe në FMN, dhe se ka një trajtim dhe bashkëpunim të mirë, posaçërisht me vendet që kanë qenë mbështetëse të saj.
Cështjet që duhen trajtuar për negociatat me Serbinë
Presidenti i Kosovës, radhiti 3-4 çështje që sipas tij duhen trajtuar në lidhje me ndonjë rrugë të mundshme të bisedimeve, të negociatave apo të takimeve me përfaqësues të Serbisë. E para, nuk është i 'ashtuquajturi plan strategjik', por është dokument i miratuar dhe dokument legal i qeverisë së Republikës së Kosovës dhe them se është një shans i mirë për perspektivën e zhvillimit të proceseve që kanë të bëjnë me integrimin. Çështja e dytë, janë shenja jashtëzakonisht inkurajuese ato që i kemi gjetur kohëve të fundit, posaçërisht me pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet lokale, sidomos në tre komunat e reja të formuara, ku serbët janë pjesëmarrës aktivë dhe kanë marrë udhëheqjen në këto komuna. Mbetet zotimi ynë se do të shkojmë në proces në formimin edhe të dy komunave të mbetura, u shpreh Sejdiu. Si çështje të tretë ai renditi çështjen e bisedimeve me Beogradin, ku shtoi se me këtë vend janë të gatshëm të bisedojnë për të gjitha çështjet që janë me interes vital për të dy vendet, duke veçuar se asnjëherë nuk do të bisedojnë për çështje që kanë të bëjnë me statusin. Ideja e Beogradit është të rifillojë bisedimet, jam shumë i bindur se ata e dinë se nuk do të ketë rezultat nga përpjekja që kanë pasur në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, sepse nuk do të marrin përgjigjen që ata e kanë dëshiruar, apo dëshirojnë ta imponojnë. E dyta, Beogradi do të bëjë përpjekje në kanale të tjera për të penguar zhvillimin e Kosovës, integrimin e saj në proceset e tjera aktive, sidomos në ato që kanë të bëjnë me lëvizje drejt Bashkimit Evropian, dhe pse Serbia vetë s'është ende anëtare e BE, vijoi ai. Ndërkaq, Sejdiu theksoi se me Beogradin mund të bisedojnë për tema që janë praktike, të cilat do të ishin në dobi të një procesi relaksimi të marrëdhënieve mes dy vendeve.
65 shtetet që kanë njohur Kosovën
Mbretëria e Bashkuar
Franca
Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Turqia
Shqipëria
Afganistani
Kostarika
Australia
Senegali
Letonia
Gjermania
Estonia
Italia
Danimarka
Luksemburgu
Peru
Belgjika
Polonia
Zvicra
Austria
Irlanda
Suedia
Holanda
Islanda
Sllovenia
Finlanda
Japonia
Kanadaja
Monako
Hungaria
Kroacia
Bullgaria
Lihtenshtajni
Korea Jugore
Norvegjia
Republika e Ishujve Marshall
Republika e Naurusë
Burkina Faso
Lituania
San Marino
Republika Çeke
Liberia
Sierra Leone
Kolumbia
Belize
Malta
Samoa
Portugalia
Mali i Zi
Maqedonia
Emiratet e Bashkuara Arabe
Malajzia
Mikronezia
Panama
Republika e Maldiveve
Republika e Palaut
Republika e Gambias
Mbretëria e Arabisë Saudite
Unioni i Komoreve
Mbretëria e Bahrainit
Mbretëria Hashemite e Jordanit
Republika Domenikane
Zelanda e Re
Republika e Malavit
Republika e Mauritanisë