Ambasadori austriak: Jam i zhgënjyer me BE, që nuk pati një qëndrim unik për pavarësinë e Kosovës
Në Rambuje, kemi ndërmjetësuar mundësinë e një shkalle tejet të lartë të autonomisë brenda ish Federatës së atëhershme të mbetur jugosllave. Në të vërtetë qysh atëherë e kemi ditur se midis Serbisë dhe Malit të Zi ekzistonin probleme të mëdha, të cilat herët a vonë do të çonin te zhbërja e Jugosllavisë së mbetur. Edhe atëherë unë e kam ditur se për Kosovën do të ketë një status tjetër, i cili do të negociohej midis Kosovës dhe Serbisë për dallim prej atij për të cilin ne ndërmjetësuam në Rambuje, theksoi ai. Sipas Petritsch tashmë mund të thuhet se Kosova është një shtet që funksionon mirë, një shtet ku janë bërë përparime të mëdha. Ndërkaq, ai shtoi se në planin ndërkombëtar Kosova është një projekt i papërfunduar plotësisht, sepse ende nuk është bërë anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe disa organizmave tjerë ndërkombëtare. Sa i takon njohjeve, më duhet të ju them hapur, jam pak i zhgënjyer. Kam shpresuar se në fillim pas shpalljes së pavarësisë do të ishin më shumë shtete që do ta njihnin Kosovës njëherësh. Jam i zhgënjyer shumë me Bashkimin Evropian, që nuk pati një qëndrim unik që Kosova të njihej nga të 27-të vendet anëtare. Kjo në fakt dëshmon se Bashkimi Evropian është gjithashtu një projekt i papërfunduar plotësisht. Këto pesë shtete janë një problem në rrugën e zhvillimit të mëtejmë të Kosovës në planin ndërkombëtar, shtoi ambasadori austriak. Në lidhje me GJND, sa i përket Kosovës, Petritsch veçoi se nuk pret ndonjë vendim që do të çonte në zgjidhjen e problemeve ekzistuese dhe se një vendim i GJND do të jetë në favor vetëm të njërës palë. Ambasadori austriak, u ndal edhe në politikën serbe, ku theksoi se qeveria e Beogradit mund ti përkrah ata, por kjo duhet të bëhet në mënyrë plotësisht transparente, përmes qeverisë në Prishtinë.