Kosova feston 2 vjetorin e pavarësisë së saj
Ethet e festës së pavarësisë së Kosovës kanë mëse një javë që kanë filluar dhe pritet të konkretizohen ditën e sotme me festime madhështore. Në qendër të kryeqytetit të Kosovës, valëviten përkrah njëri tjetrit flamujt e ndryshëm, ai shtetëror i Kosovës, ai kuq e zi dhe flamujt të shumë shteteve të tjera. Për nder të përvjetorit të dytë të pavarësisë, Parlamenti i Kosovës ka mbajtur një seancë solemne dhe në të gjithë vendin do të organizohen manifestime kulturore.
Por, festimet më të shumta janë përqendruar për tu zhvilluar në Prishtinë, e cila ka përgatitur një varg aktivitetesh për këtë ditë. Kështu, në orën 10:00 zhvillohet mbledhja solemne e Asamblesë Komunale të fëmijëve të Prishtinës. Në orën 12:00, programi artistik, përgatitur nga Qendra Kulturore e Fëmijëve të Prishtinës. (Teatri Dodona). Në orën 13: 30. fëmijët do të argëtohen me programin artistik të krijuar posaçërisht për ta në bulevardin Nëna Tereza, ku marrin pjesë grupet artistike të fëmijëve dhe të rinjve të qytetit. Në orën 14:00. zhvillohet ndeshja e futbollit: Kosovë-Shqipëri në stadiumin e qytetit. Ndërsa mbrëmja fillon me programin qendror, ku do të interpretojnë solistë dhe grupet të ndryshme të muzikës popullore dhe argëtuese, dhe kryetari Mustafa, do ti përshëndes të pranishmit, duke iu uruar dyvjetorin e pavarësisë së Kosovës. Ndërkaq festa në Prishtinë ka filluar që në orët e para të ditës së djeshme, ku nga ora 09.00 deri në orën 13.00, nën organizimin e Shoqatës së pedagogëve të edukatës fizike të Prishtinës, në pallatin e Sporteve, janë zhvilluar lojërat sportive me nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Komunës së Prishtinës, në volejboll, basketboll etj. Në ditën e dytë të përvjetorit të dytë të pavarësisë së Kosovës, Prishtina është e stolisur me flamuj, ku mbretëron atmosfera festive. Me rastin e këtyre festimeve, mbrëmjen e djeshme është zhvilluar një pritje për drejtuesit e shtetit, liderëve të partive politike dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare në Kosovë. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi me rastin e dyvjetorit të pavarësisë është shprehur se Kosova në këtë periudhë dy vjeçare ka arritur sukses të madh si në vend ashtu edhe në skenën ndërkombëtare. Ai tha se sukseset e arritura nuk duhet ti atribuohen vetëm institucioneve por edhe qytetarëve të vendit.
Haradinaj, homazhe tek varrezat e dëshmorëve të kombit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj me bashkëpunëtorë, ka nisur rrugëtimin e homazheve tradicional që kjo parti bën çdo viet tek varrezat dhe shtatorët e dëshmorëve të kombit dhe të figurave politike që kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ditën e djeshme, pasi ka bërë homazhe tek varri i ish presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, Haradinaj ka bërë homazhe para shtatores së komandantit të UÇK, Zahir Pajaziti në sheshin Nëna Terezë. Ai ka thënë se këto homazhe për AAK tani janë tradicionale, përmes së cilave dërgohet mesazhi i nderimit për të gjithë ata që sakrifikuan për pavarësinë e Kosovës. Kreu i AAK-së, i shoqëruar nga nënkryetari Blerim Shala, nga këshilltari i tij Steven Schook dhe bashkëpunëtorë të tjerë kanë bërë homazhe edhe tek shtatorja e profesorit Fehmi Aganit, para Fakultetit të Filologjisë si dhe ka bërë vizitë në familjen Agani. Haradinaj ka vazhduar rrugëtimin e tij për në Prekazin e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari, për të bërë homazhe tek Jasharajt, ndërkaq më pas është nisur për të bërë homazhe në Deçan. Ai është shprehur se dyvjetori i pavarësisë së Kosovës, e gjen vendin përballë sfidave të mëdha. Pavarësia nuk po kthehet mbrapa, por shtet-bërja është në sfidë. Ne besojmë shumë se do të dalim nga gjendja e tanishme. Dhe mendojmë se është momenti që të japim drejtim vendit. Besojmë se çdo dit që vonohemi me i dhënë drejtim vendit, ne po paguajmë një çmim të madh si Kosovë dhe si qytetar të Kosovës, tha Haradinaj.