E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Dy vjet pavarësi, periudha e vendimeve historike

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi me rastin e dyvjetorit të pavarësisë së Kosovës deklaroi se derisa para dy vitesh Kosova e shpalli pavarësinë, e fitoi statusin e vendit të pavarur, sovran dhe demokratik, sot lirisht mund të thuhet se Kosova ka përfituar me perspektivën evropiane. Nëpërmjet një interviste ai ka bërë bilancin e kësaj periudhe, duke e vlerësuar këtë dy vjeçar si periudhën e vendimeve historike dhe të perspektivës evropiane. Ai veçoi njohjen nga 65

vende të fuqishme ndërkombëtare, anëtarësimin në FMN dhe BB, ku veçoi faktin se Kosova ndodhet në prag të anëtarësimit edhe në Bankën për Zhvillim dhe Rindërtim Evropian. Pra, Kosova është duke ecur në trendet e sigurta të angazhimeve integruese, edhe në NATO, edhe në Bashkim Evropian. Pra, pesha e njohjeve është shumë e fuqishme, ajo e ka fuqizuar shtetin e Kosovës. Në të njëjtën kohë, duhet të potencoj se njohjet i kanë pasur edhe vështirësitë e veta, në veçanti apelin e Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Prandaj, dua të besoj se edhe para opinionit të shprehur nga Gjykata Ndërkombëtare, do të kemi njohje të reja, por do të vazhdojnë njohjet e tjera edhe pas opinionit, që nuk do të jetë obligativ i Gjykatës Ndërkombëtare. Dhe, ky opinion ne duam të besojmë pa pretendime politike, se nuk do të jetë krejt bardh e zi, por do të jetë në përputhshmëri me realitetin në Kosovë, theksoi ai. Kryeministri Thaçi është ndalur edhe në procesin e liberalizimit të vizave, duke u shprehur se këto dy vite për shtetin e Kosovës kanë qenë jashtëzakonisht të rëndësishme, sepse ka fituar nga raporti i progresit perspektivën evropiane, një perspektivë kjo që disa vende të rajonit nuk e kanë fituar për 15 vite me radhë. Por, një gjë është e sigurt, Kosova shumë shpejt dhe nuk do të jetë e fundit që do të jetë pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian. Përkundrazi, Kosova është storie e suksesit të plotë, nënvizoi Thaçi, për të shtuar se Kosova kurrë ndonjëherë nuk ka qenë më afër integrimit në NATO dhe në Bashkim Evropian. Sipas kreut të qeverisë së Kosovës, ky është zotim, ky është vizioni dhe ky është qëllimi, i cili do të realizohet shpejt. Përsa i përket koalicionit qeverisës midis partisë së kryeministrit Thaçi dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ai ka theksuar se ky koalicion është bërë për interesa të shtetit, po edhe për ndarjen e përgjegjësive të pushtetit. Institucionet kanë mandat të plotë, zgjedhjet do të organizohen në vitin e ardhshëm në kohë të rregullt, në afatin e rregullt kushtetues, përfundoi Thaçi.

Last Updated on E Marte, 16 Shkurt 2010 22:38

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›