65-vjeçari i paralizuar digjet aksidentalisht
Tiranë
Një burrë në moshë të thyer gjeti vdekjen mbrëmë në Tiranë, pasi u dogj i gjallë në banesën e tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 18:00 të mbrëmjes në një lagje ku jeton komuniteti rom. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se 65-vjeçari gjeti vdekjen aksidentalisht, pasi nuk mundi të largohej, kur rezistenca që përdorte për t’u ngrohur i ka vënë flakën ambientit, ku po rrinte. Nga të dhënat e para të policisë, mësohet se 65-vjeçari u dogj në një dyqan të tij, që sapo e kishte lëshuar me qira, pranë ish-shkollës Komunale, që njihet edhe si zonë ku jetojnë romët. Forca të shumta policie dhe zjarrfikësish kanë rrethuar vendin e ngjarjes. Policia ka mundur të identifikojë viktimën. Bëhet fjalë për Esat Tafën, që sipas forcave blu, vuante edhe nga diabeti. Ai ka qenë i vetëm në dyqan, kur kanë rënë flakët dhe ka tentuar të dalë, por nuk ka mundur për shkak se prej kohësh ishte gjysmë i paralizuar. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, kanë qenë të afërmit e tij, ata që kanë vënë re flakët dhe kanë lajmëruar policinë. Pas shuarjes së flakëve, policia ka nisur hetimet për të dokumentuar plotësisht këtë ngjarje të rëndë, duke marrë në pyetje edhe të njohurit e tij. Trupi i pajetë, i cili ka pësuar shumë dëme, është dërguar në morgun e Tiranës për ekzaminime të mëtejshme.
#