E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokatët mungojnë pa arsye, shtyhet Gërdeci

Pritej të dëshmonte Andi Beliu, një ish-punëtor i fabrikës. Pas një sërë debatesh, seanca u shty për të hënën

është shtyrë sërish seanca e djeshme e çështjes së ashtuquajtur “Gërdeci”. Shkak për këtë shtyrje është bërë mungesa e avokatëve Maksim Haxhia dhe Arben Prifi dhe duke mos pasur mundësi për zëvendësimin e tyre, trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës. Maksim Haxhia, njëkohësisht kryetar i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, është avokati mbrojtës i Mihal Deliorgjit, Julian Margaritit dhe firmës “Alba-Demil”. Ndërkaq, Arben Prifti është avokati mbrojtës i Dritan Minxollit, ish-drejtorit të fabrikës. Duke parë mungesat e avokatëve, trupi gjykues vendosi që seanca të pezullohet. Kjo seancë pritej të kishte zhvillime të rëndësishme, sepse në të do të dëshmonte dhe Andi Beliu, një ish-punëtor i fabrikës. Beliu ka qenë gjithashtu dhe kryetar i grevës që zhvilluan punëtorët e Gërdecit pas tragjedisë, ku kërkonin të drejtat e tyre. Gjithashtu në këtë seancë pati dhe debate midis trupit gjykues dhe avokatëve. Këta të fundit i kërkuan trupit gjykues që seancat e kësaj çështjeje të zhvilloheshin jo dy herë, por një herë në javë dhe me një orar të zgjatur. Sipas tyre, ata kishin dhe impenjime të tjera që i pengonin të vinin në çdo seancë. Trupi gjykues, duke parë dhe pretendimet e avokatëve, vendosi që seanca e radhës të zhvillohet ditën e hënë, në orën 09:30. Seanca e ditës së hënë pritet të vazhdojë me dëshmitarët e radhës, ndërmjet të cilave dhe ajo e Andi Beliut. Në seancën e kaluar, ish-drejtori i fabrikës, Dritan Minxolli, akuzoi Patrick Henrin se ai jepte udhëzimet për mënyrën e punës në fabrikë. Minxolli gjithashtu deklaroi se për çdo veprim në fabrikë, Henri ishte i informuar. Gjithashtu, ai theksoi se disa ditë para se të ndodhte shpërthimi, Henri bashkë me disa bashkëpunëtorë të tij, të cilët jetonin në Shqipëri, kishte vizituar fabrikën. Në të njëjtën ditë, sipas Minxollit, është firmosur dhe kontrata e re e bashkëpunimit për projektin e dytë, atë të predhave. Me këtë deklaratë, në një farë mënyre Minxolli mbron dhe dëshminë e Veiz Muços, ish-brigadierit të fabrikës. Muço deklaroi se disa ditë para se të ndodhte shpërthimi, fabrikën e kishte vizituar Patrick Henri. Ndërkohë, seanca e radhës pritet të zhvillohet pa probleme, duke nxjerrë dhe fakte të reja.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›