E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet 30-vjeçari që vrau elektricistin e dashuruar

Interpol
Nga Holanda sillet Fredi Aliaj. Historia e masakrimit të Robert Mitros

Interpol-Tirana ekstradon nga Holanda të kërkuarin Fredi Aliaj, i dënuar me 20 vjet burg për vrasje dhe tortura ndaj një elektricisti nga Fieri, i cili u ekzekutua sepse dashuroi një vajzë. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bënë të ditur se pikërisht në orën 15:00 u krye ekstradimi nga Amsterdami drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar, Fredi Ali Aliaj, 30 vjeç, lindur e banues në Fier. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, me vendimin nr.50, datë 01 nëntor të vitit 2007, e ka dënuar këtë person me 20 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”. Sipas dosjes penale në ngarkim të tij, nga data 26-27 janar 2004, Fredi Aliaj, Sokol Aliaj dhe Ismet Boriçi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë në qytetin e Durrësit, duke rrahur me mjete të forta dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore, shtetasin Robert Mitro, i cili ka qenë banor i qytetit të Fierit. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tiranës me Interpol-Hagën, në datën 09 tetor 2008 u bë i mundur arrestimi i këtij personi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Autori kryesor është cilësuar Ismet Boriçi, i cili është hakmarrë për një lidhje të dyshuar dashurore që elektricisti ka pasur me kushërirën e tij në Fier. Historia e lidhjes dashurore ka ndodhur në vitin 2004, duke sjellë pengmarrjen dhe masakrimin e elektricistit Robert Mitro. Robert Mitro, 37 vjeç, nga qyteti i Fierit, punonte si hidraulik-elektricist në një pallat që po ndërtohej në Plazhin e Durrësit, te sektori Hekurudha. Gjatë kësaj kohe, ai banonte në një apartament në katin e pestë të pallatit në plazh. Atje ai dyshohej se kishte një lidhje intime me kushërirën e të pandehurit kryesor, Boriçi. Në janar 2004, autorët kanë hyrë në banesën e Mitros, pa përdorur forcë. Derën e ka hapur vajza 18-vjeçare, me të cilën ai bashkëjetonte. Mitro është goditur fillimisht me levë hekuri dhe në trup i janë gjetur shumë hematoma, ndërsa më pas është mbështjellë me batanije dhe është futur në bagazhin e makinës. Ndërkohë, i arrestuari tjetër i djeshëm, Alban Lika, fshihej në Itali me emrin Lin Gjekaj. Ky person është dënuar, sepse në datën 7 maj të vitit 1999 ka vrarë Tonin Dedën. Prej nëntë vitesh ai ishte shpallur në kërkim, por vetëm ditën e djeshme është bërë i mundur arrestimi i tij.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›