E Diel, 1 Nëntor 2026

650 mijë euro shpenzime për vetëm 65 mijë euro shpërblim

 

Të luftosh për 65 mijë euro kur konfirmon se harxhon 10 fish më shumë. E thënë ndryshe; fituesi i titullit kampion mbrëmjen e sotme do të përfitojë në vlerë monetare 65 mijë euro. Ky shpërblim është miratuar dhe publikuar nga Komiteti Ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Futbollit që në fillim të vitit. Ndërkohë nga ana tjetër si Vllaznia e Shkodrës dhe Tirana, dy skuadrat që do të përballen sonte për këtë titull kanë pohuar shifra marramendëse të shpenzuara vetëm për një sezon futbollistik. Natyrisht edhe në kampionatet elitare llogaritë e mbajtjes së një skuadre (rrogat, aksesorët, etj) nuk mbyllen vetëm me fitimin e një titulli, vlera e të cilit është edhe më e paktë se 10-fishi i Superligës shqiptare. Por ndryshimet janë gjetkë.
Një skuadër si Inter, fituese e titullit kampion në Itali harxhon vetëm për rroga 120 milionë euro në sezon ndërsa nga titulli që fitoi nuk përfiton më është shumë 1/10 e tij. Por klubi zikaltër përfiton shuma marramëndëse nga shitjet e biletave, reklamat, shitjet e bluzave dhe aksesorëve të tjerë sportivë, të ardhura të konsiderueshme nga e drejta televizive dhe mbi të gjitha nga pjesëmarrja në elitën e futbollit evropian, Champions League. Të gjitha këto të marra së bashku kalojnë shifrën që harxhohet për mbajtjen e klubit.
Champions
Tjetër gjë në Shqipëri. Deri sezonin e kaluar nuk flitej fare për reklama, të drejtë televizive ose të ardhura nga shitjet e biletave ose të bluzave. I vetmi investim vjen nga bashkia (shteti) dhe donatorët-presidentë. Madje trofeu i titullit kampion nuk shihet as si një përfitim i madh po qe se pas tij nuk do të ishte pjesëmarrja në Kupën e Kampioneve, nga e cila çdo skuadër merr rreth 250 mijë euro. Për këtë gjë sonte në mbrëmje Tirana dhe Vllaznia do të mundohen të përfitojnë nga gabimet e njëra-tjetrës, dhe më tepër se për një trofe më shumë në baketën e tyre duan të sigurojnë elitën e futbollit evropian, aty ku përfitimet justifikojnë shpenzimet. Sipas të dhënave nga klubet e Superligës, gjatë këtij sezoni, i vetmi klub që ka mundur të nxjerrë përfitime nga e drejta televizive është Tirana, skuadër e cila sipas presidentit Refik Halili ka përfituar rreth 4 milionë lekë (të reja).
Shpërblimet
Ca të ardhura më pak, por këto të justifikuara edhe nga rëndësia e trofeut janë për fituesit në Kategori të Parë të dytë dhe te të rinjtë. Kështu skuadra e Flamurtarit, fituese e Kupës së Shqipërisë veç pjesëmarrjes në Euroligë (Kupa UEFA) do marrë edhe 40 mijë euro në formë shpërblimi nga FSHF-ja. Por duhet theksuar se ashtu sikundër edhe gjatë viteve të shkuara këto shumë nuk do të përfitohen cash (para në dorë) por do të jepen në formë investimi që në këtë rast do të paraqiten në formë projektesh nga vetë klubet. E njëjta gjë vlen edhe për Kampionët e Kategorisë së Parë (Laçi) dhe të Dytë (Memaliaj) të cilët do të përfitojnë relativisht 3 herë më pak se fituesi i Superligës. Kështu Laçi do marrë 25 mijë euro ndërsa Memaliaj, 10 mijë euro.
Inferiorët
Nuk janë anashkaluar as kampionatet tek të rinjtë U-19 (Pogradeci) dhe U-17 (Laçi) të cilët do përfitojnë respektivisht, pogradecarët, 4 mijë euro ndërsa laçianët, 3 mijë euro. Këto shpërblimet për U-19 dhe U-17 do të jepen më bazë materiale dhe jo cash (para në dorë). Ndërsa premio më e ulët do të jetë ajo për golashënuesin më të mirë të Superligës i cili do të përfitojë në formë çeku shumën prej 2 mijë eurosh. Ky çmim ka pasur një lloj rritje përderisa sezonin e kaluar ka qenë vetëm 1 mijë e 5 qind euro. Për këtë çmim konkuron thuasje i vetëm Migen Memelli, i cili ka shënuar deri tani 21 gola. Pas tij vjen Sabino Plaku me 18 gola.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›