Plagosen policët, shpëtuan 23-vjeçarin nga vetëvrasja
TIRANE - Dy policë mbetën të plagosur me thikë gjatë ndërhyrjes për të shmangur vetëvrasjen e një 23-vjeçari në zonën e njohur si “Tregu elektrik” në Tiranë. Policia e Komisariatit nr. 1 është njoftuar disa orë pas mesnatës të së enjtes, se një djalë kishte hipur në tarracën e pallatit 6-katësh ku banonte dhe po tentonte të hidhej. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie për të shmangur vetëvrasjen e të riut Luis Rreku. Me gjithë thirrjet për t’u larguar nga tarraca, policët, por as familjarët nuk kanë arritur të bindin 23-vjeçarin, i cili e kishte ndarë mendjen për të kryer veprimin fatal. Përballë kësaj situate dy policë janë detyruar që të hipin fshehurazi në tarracë, në mënyrë që ta kapnin në befasi djalin që po tentonte vetëvrasjen. Sipas informacioneve që janë marrë në vendin e ngjarjes, është mësuar se Rreku para se të ngjitej në tarracën e pallatit ishte grindur me të ëmën, e cila i kishte tërhequr vëmendjen se ishte kthyer vonë në shtëpi. Më pas mes tyre ka nisur një debat me tone të forta dhe 23-vjeçari është ngjitur në katin e gjashtë, duke alarmuar banorët e lagjes. Sipas dëshmive nga vendi i ngjarjes, operacioni i policisë për të shpëtuar të riun ka zgjatur më shumë se dy orë, pasi ai nuk bindej që të hiqte dorë nga vendimi që kishte marrë. Ndërkohë burime nga policia shpjeguan se është dashur ndërhyrja në befasi e dy oficerëve të policisë për të parandaluar vetëvrasjen, por që u ka kushtuar mjaft shtrenjtë. Luis Rreku, përveçse kishte hipur në tarracë dhe bërtiste se do të hidhej, kishte marrë edhe një thikë, të cilën e mbante në dorë gjatë gjithë kohës. Ndërhyrja e dy policëve për pak sa nuk ka rezultuar fatale për ta gjatë përleshjes për të shpëtuar 23-vjeçarin. Ata janë plagosur nga arma që mbante në dorë Rreku, por gjithsesi kanë arritur që ta ndalojnë të vetëvritej. Menjëherë në pallat janë ngjitur edhe oficerë të tjerë policie, të cilët kanë bërë të mundur arrestimin e të riut dhe policët e plagosur janë dërguar menjëherë në spital, ku sipas mjekëve gjendja e tyre nuk paraqet rrezik, pasi plagët që kanë marrë janë të lehta. Policia nuk ka bërë të ditur emrat e oficerëve të plagosur, por mësohet se njëri prej tyre është drejtues i lartë i policisë, me gradën “Drejtues”. Ndërkohë gjatë deklarimeve në polici, Luis Rreku ka treguar se ka tentuar vetëvrasjen pas një debati të ashpër që kishte pasur me të ëmën, sepse ishte kthyer vonë në shtëpi. e.d