E Diel, 1 Nëntor 2026

Cana, në ekipin e sezonit për Ligën e Parë franceze

 

Uebsajti i njohur “goal.com” ka përcaktuar ekipin e sezonit për kampionatin francez (Liga 1), teksa në 11 lojtarët më të mirë bën pjesë edhe mesfushori shqiptar i Olimpikut të Marsejës, Lorik Cana. Në ekipin e përzgjedhur me skemën 4-4-2, Cana është caktuar në pozicionin e tij natyral, teksa në krah ka ish-mesfushorin e Milanit, tani të Bordosë, Johan Gurkuf. “Lorik Cana ka udhëhequr Marsejën drejt kreut të renditjes. Kontributi i tij ka qenë i madh në këtë sezon, por për fat të keq, Olimpiku është përsëri larg titullit kampion. Cana ka provuar të jetë një nga mesfushorët më konstantë të kampionatit francez. Por gjithashtu, për nevoja të ekipit, ai ka dhënë më të mirën edhe kur ka luajtur në qendër të mbrojtjes. Ai është pa dyshim lojtari kyç i Marsejës,”- citohej në shkrimin për Canën. Suporti më i madh për Canën janë tifozët. Mesfushori i kombëtares është shumë i lidhur me ultrasit e Olimpikut të Marsejës, teksa në një deklaratë për uebsajtin zyrtar të klubit, ka folur me shumë pasion për ta. “Është e rëndësishme për të respektuar tifozët, sepse ata “luajnë” për klubin e tyre. E mbështesin Marsejën gjatë gjithë jetës gjithë jetës së tyre, ndërsa ne (lojtarët) jemi vetëm për të kaluar disa vite në ekip. Nga një pikëpamje, ata janë më të rëndësishme se ne. Kjo është arsyeja pse unë jap më të mirën në fushë. Unë kam respekt të madh për ta. Pavarësisht nga incidentet që kanë ndodhur, mendoj se unë mbajë një marrëdhënie shumë të mirë me ta. Jam i lumtur për këtë,”- ka thënë 26-vjeçari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›