E Diel, 1 Nëntor 2026

Laze: Lojtarët dhe federata, fajtorët për rënien e Elbasanit

 

Ai di fajtorët për dështimin e skuadrës së tij gjatë këtij sezoni. Ndonëse nga qelia e burgut, presidenti i Elbasanit Arben Laze akuzon drejtpërsëdrejti drejtuesit e FSHF-së por jo vetëm. Sipas tij një pjesë të fajit duhet ta mbajnë edhe futbollistët të cilët nuk kanë ndjerë si duhet peshën e fanellës verdheblu.
Z. Laze si ndiheni kur shikoni që Elbasani juaj është thuajse i rënë në Kategori të Parë?
Më vjen shumë keq për skuadrën aq sa nuk mund ta imagjinoja kurrë. Ndihem i turpëruar dhe kokulur kur mendoj rënien e Elbasanit.
Cilin bëni fajtor për rënien e Elbasanit?
Fajtorë janë të gjithë. Në radhë të parë fajtor bëj veten por mendoj se futbollistët kanë një përgjegjësi të madhe. Ata duhet të mbajnë turpin e fanellës që realisht dëshmuan se nuk e meritonin.
A është marrë mendimi juaj për merkaton që është bërë në janar dhe për ndërrimet e trajnerëve?
Po më kanë pyetur për shumicën e futbollistëve që janë marrë gjatë merkatos së verës. Por unë kam qenë i mendimit se edhe pesë futbollistë duheshin të largoheshin nga skuadra. Ndërsa përsa i përket trajnerëve kam qenë kategorikisht kundër ardhjes së tyre, pra kundër ndërrimeve të bëra.
Flitet se ju keni harxhuar rreth 1.2 miliardë lekë për Elbasanin...     
Është e vërtetë që kam harxhuar shumë lekë për klubin e Elbasanit por ju garantoj se nuk jam bërë ansjëherë pishman për këtë gjë. Ka qenë kënaqësia e ime.
A mendoni se Elbasani ka rënë viktimë e klaneve në Superligë dhe të politikës?
Unë mendoj se Elbasanin e nxori federata nga kategoria. Ata ndryshuan kalendarin i cili deri në ato momente ishte goxha favorit për ekipin tonë dhe po luhej seriozisht. Ndërsa përsa i përket ndërhyrjeve të tjera si të politikanëve unë as jamë marrë dhe as do të merrem me politikë ndonjëherë. Partia ime ka qenë dhe do mbetet KS Elbasani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›