7 Mars 2008 - Topalli në ish-Normalen e Elbasanit: Mirënjohje dhe vlerësim për përkushtimin e mësuesve.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli vizitoi me rastin e 7 Marsit, Festës së
Mësuesit, ish- Normalen e Elbasanit, sot, Shkolla e Mesme Pedagogjike Luigj Gurakuqi.
Në takim merrnin pjesë mësues e nxënës të kësaj shkolle, ish-nxënës të Normales, drejtues të arsimit të mesëm e atij akademik të qytetit, Kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini, deputetë e mësues nga shkollat e qytetit të Elbasanit.
Drejtoresha e shkollës, Dhurata Valera u shpreh se ndihej shumë e nderuar që për herë të parë në historikun e kësaj shkolle, kjo vizitohet nga një Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë: e cila për ne është jo vetëm modeli i gruas së arrirë në politikë, por i politikanes së angazhuar në çështjet sociale dhe në ato të edukimit".
Në fjalën e saj përshëndetëse Kryetarja Topalli tha:
Unë jam shumë e nderuar që jam këtu, në ish-Normalen e Elbasanit, e cila në të gjithë traditën dhe historinë e saj është e mirënjohur në të gjitha zonat e Shqipërisë, si edhe në Kosovë, ku shumë normalistë punuan si mësues. Jam këtu në Elbasan, në qytetin që rrezaton kulturë, dije, edukatë.
Duke u ndalur në vlerat e mësimdhënies dhe edukimit të ish-Normales së Elbasanit, në sistemin e arsimit dhe përgatitjes së intelektualëve shqiptarë, Kryetarja e Kuvendit tha se kjo shkollë ka një simbolikë të veçantë, për vetë historinë dhe sakrificën e institucionit.
Në këtë shkollë, tha Kryetarja e Kuvendit, është arsimuar pjesa më elitare e Shqipërisë.
Unë mendoj se në Elbasan duhet të ngremë një obelisk për arsimin.
Është një ditë shumë e veçantë, sepse mësuesi është një ndër personalitetet dhe personazhet me ndikim dhe influencë shumë të veçantë.
Po të pyesësh secilin prej nesh nuk di të thotë se kur ndalet influenca e mësuesit apo mësueses gjatë gjithë jetës sonë, pasi nuk ka figurë më të dashur dhe më të nderuar së ajo e mësuesit
Ndaj dhe sot u bëj urimet më të mira gjthë brezave të arsimtarëve, u shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë përkushtimin, profesionalizmin dhe edukatën që ata u kanë dhënë brezave.
Sigurisht që kjo ditë të bën mendojmë për një analizë të hollësishme se çfarë kemi bërë dhe çfarë duhet të bëjmë për shkollën dhe se çfarë sfidash na presin për të ardhmen.
Jam shumë e kënaqur që në buxhetin e dhjetorit 2007, në Kuvend kemi miratuar një fond shumë të rëndësishëm për arsimin.
GDP-ja e arsimit ka arritur në 4%, nga 3,1 % . Janë trefishuar investimet, është liberalizuar krejtësisht shkolla e lartë, është dyfishuar numri i studentëve, është parashikuar që të ngrihen një sërë konviktesh dhe shkollash të reja në Shqipëri dhe do të ketë një përqendrim të veçantë për kabinetet e kompjuterave.
Në fakt, kjo është diçka shumë e rëndësishme, sepse brezi juaj, por edhe brezi ynë po jeton epokën e Google-it.
Urimet më të mira mësuesve të Elbasanit dhe të të gjithë Shqipërisë!
Gjatë aktivitetit e morën fjalën Rektori i Universitetit Aleksandër Xhuvani, Liman Varoshi , i cili tha se ish-Normalja e Elbasanit në 100 vjet të historisë së saj është një tempull i vlerave dhe i cilësive të mësimdhënies, që ka përgatitur breza të tërë intelektualësh.
Në këtë shkollë ne kemi krijuar një pjesë të mirë të elitës shqiptare tha Rektori Liman Varoshi.
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini falënderoi Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli për vizitën në ish-Normalen, në respekt të mësuesve dhe të rolit të tyre fisnik. Ai tha se do të mbështesë me të gjitha përpjekjet realizimin e ndërtimit të një Obelisku për Arsimin, në Elbasan.
Drejtoresha e Shkollës Luigj Gurakuqi, Dhurata Valera tha, ndër të tjera, se kjo shkollë është simbol i traditës së arsimit, kulturës dhe edukimit të brezave.
Ish-Normalja e Elbasanit, sot Shkolla e Mesme Luigj Gurakuqi, është e para shkollë e mesme shqiptare, si edhe shkolla ku u përgatitën mësuesit e parë, në gjuhën amtare.