E Diel, 1 Nëntor 2026

26 mars 2008- Topalli takon Kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli  prit sot kryetarin e Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim  të Maqedonisë, Ali Ahmeti dhe përfaqësues të tjerë të kësaj partie.

Zoti Ahmeti i shprehu Kryetares së Kuvendit ngushëllimet dhe solidaritetin për ngjarjen tragjike të Gërdecit ndërsa  vlerësoi angazhimin e shpejtë të qeverisë për lehtësimin e pasojave të tragjedisë.   Kryetarja e Kuvendit falënderoi zotin Ahmeti për mbështetjen dhe kontributin që shqiptarët në Maqedoni, dhe qeveria maqedonase kanë dhënë në përballimin e kësaj tragjedie.

"Kjo ngjarje, tha zonja Topalli, na tronditi të gjithëve dhe vuri në lëvizje të gjithë kombin që tregoi shpirtin shqiptar kurajoz e bujar.
Shteti reagoi me një mobilizim të të jashtëzakonshëm për një tragjedi të jashtëzakonshme. Ne do të vazhdojmë të jemi në këmbë deri sa gjithçka të ketë përfunduar. Zonat e rindërtuara do të reflektojnë vizionin dhe angazhimin maksimal të shtetit."


Gjatë takimit, zonja Topalli dhe zoti Ahmeti diskutuan mbi zhvillimet në rajon duke u ndalur në zhvillimet politike në Maqedoni,  në punën dhe përpjekjet për anëtarësimin e vendit në NATO.
 
Kryetarja Topalli vlerësoi qëndrimin e forcave politike shqiptare në Maqedoni  në interes të integrimit Euro-Atlantik, duke uruar që në Samitin e Bukureshtit vendet e A3-shit të marrin pa pengesë ftesën për anëtarësim.


Bashkëbiseduesit diskutuan mbi marrëdhëniet dypalëshe e rajonale dhe vlerësuan rolin e faktorit shqiptar në shërbim të paqes dhe stabilitetit në Ballkan e më gjerë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›