E Shtunë, 31 Tetor 2026

7 mars 2008- Fratini: I impresionuar nga progresi i bërë në Shqipëri.


Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli priti sot në takim Zëvendëspresidentin e Komisionit Europian, Franko Fratini.

Kryetarja Topalli falënderoi zotin Fratini për mbështetjen e tij të vazhdueshme dhe për  angazhimin e tij për liberalizimin e vizave të Shqipërisë me BE-në, për të cilat do të nisin sot negociatat.

Nga ana e tij, zoti Fratini duke vlerësuar progresin e dukshëm të bërë në Shqipëri, siç u shpreh ai, tha se ndihet i kënaqur për klimën e bashkëpunimit mes palëve në parlament, duke e cilësuar këtë si shumë të rëndësishme.

Mesa duket do të jetë një pranverë e mbarë për shqiptarët, u shpreh Fratini, duke uruar edhe marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, në Samitin e ardhshëm të Bukureshtit.
Jam i impresionuar, vijoi ai, për rezultatet e dukshme që keni bërë krahasuar me vetëm një vit më parë, dhe jam i sigurt se integrimi i Shqipërisë në BE do të jetë i shpejtë.


Kryetarja Topalli e njohu zotin Fratini me reformat e fundit të ndërmarra nga Qeveria dhe Parlamenti. Ajo shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin mes forcave politike, jo vetëm për reformën në drejtësi por edhe për reformat thelbësore në proceset integruese të vendit.

Mbetemi të fokusuar në prioritetet tona në luftën ndaj korrupsionit, evazionit fiskal dhe vendosjen e shtetit të së drejtës, tha Topalli. Shqipëria ka arritur një stabilitet të dukshëm makroekonomik dhe është një vend i sigurt për investitorët por edhe për turistët. Jemi të gjithë të angazhuar të vijojmë reformat, jo vetëm në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe NATO, por mbi të gjitha për zhvillimin e vendit.

Zoti Fratini dhe zonja Topalli ndanë mendimin për forcimin e bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Komisionit Europian, duke shprehur bindjen se rruga e anëtarësimit të Shqipërisë në BE nuk do të jetë e gjatë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›