27 mars 2008- Topalli: "Ka ardhur koha e grave"
Modele të lidershipit grua që ofrojnë sot SHBA-të, Gjermania, Pakistani apo India janë këmbana që bien për të treguar se ka ardhur koha e gruas dhe burrat duhet ta kuptojnë këtë moment edhe në Shqipëri.
Kështu u shpreh Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, e cila ishte sot e ftuar në tryezën e rrumbullakët të organizuar në kuadër të muajit te historise se grave, nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, mbi fuqizimin e rolit dhe statusit të gruas në Shqipëri.
Duke përmendur një sërë grash të shquara të Shqipërisë, nga Donika Kastrioti, motrat Qiriazi, Nënë Tereza, Shote Galica apo Musine Kokalari, si gra që e provuan veten të forta e të qendrueshme, ambasadori amerikan Uithers e cilësoi shumë të rëndësishëm rolin e grave përgjatë historisë së Shqipërisë.
Ambasadori amerikan vlerësoi angazhimin e Kryetares së Kuvendit për fuqizimin e rolit dhe pozicionit të gruas në shoqërinë shqiptare.
Jemi këtu, vijoi ambasadori, për të hedhur ide dhe diskutuar mbi fuqizimin e rolit të gruas dhe le të imagjinojmë një kohë kur nuk do të ketë më dhunë në familje, kur gruaja do të ketë pavarësi ekonomike, për një kohë ku barazia gjinore do të jetë reale. Të guxojmë të imagjinojmë dhe kjo kohë do të arrijë së shpejti.
Kryetarja Topalli solli në kujtesë të kësaj tryeze, modelin e Nënë Terezës, një nënë e madhe që i bën nder jo vetëm Shqipërisë por të gjithë Botës.
Ne grate, tha zonja Topalli, kemi një dimension të rrallë, dimensionin e amësisë, që na bën të shohim të tjerët me sytë që shohim fëmijët tanë.
Unë kam udhëtuar në të gjithë Shqipërinë, kam takuar gra dhe kam dëgjuar prej tyre histori nga më të ndryshmet Kam takuar gra që i kanë kushtuar jetën e tyre familjes. Këto gra janë vërtet heroina që shteti duhet ti vlerësojë e të mbështesë punën e tyre në familje.
Pas një seancë parlamentare kundër dhunës në familje kam takuar gra që më kanë treguar vuajtjet e tyre dhe fëmijëve të tyre. Unë mendoj se kjo nuk duhet të trajtohet më si çështje private por të gjithë ne duhet të mos ndalim përpjekjet për të bërë gjithçka që t japim fund këtij fenomeni.
Percepimi se barazia gjinore është e realizuar nëse kjo barazi arrihet në politikë, nuk është perceptimi i duhur. Jo vetëm në politikë por në media, arsim, inxhineri, drejtësi, mjekësi e në shumë fusha të tjera ka gra të suksesshme që përbëjnë modele të shkëlqyera për tu ndjekur. Dhe unë mendoj se përpjekjet për të arritur barazinë gjinore duhet të jenë të njëkohshme në të gjithë fushat.
Aktualisht në Kuvend po diskutohet ligjin e barazisë gjonore që besoj se do të sjellë diçka të re në politikë.Por, duhet të kemi parasysh që pjesëmarrja e gruas në vendimmarrje kushtëzohet edhe nga infrastruktura sociale. Qeveria dhe Kuvendi janë serozisht të angazhuar për ta përmirësuar këtë infrastrukturë në mënyrë që ajo të lehtësojë angazhimin e gruas në nivelet më të larta të vendimmarrjes.
Unë mendoj, tha zonja Topalli se modele të lidershipit grua që ofrojnë sot SHBA-të, Gjermania Pakistani apo India janë këmbana që bien për të treguar se ka ardhur koha e gruas dhe burrat duhet ta kuptojnë këtë moment edhe në Shqipëri.
Kryetarja e Kuvendit falënderoi ambasadorin Uithers dhe Ambasadën e SHBA-ve për ndjeshmërinë në promovimin e dhënies së shanceve të barabarta për gratë si dhe për mbështetjen në fushatën kundër dhunës në familje.