E Shtunë, 31 Tetor 2026

7 ditë grevë urie Paraplegjikët: Do flijohemi këtu

TIRANË- Në ditën e 7-të të grevës së urisë 21 para dhe tetraplegjikë janë ngujuar tashmë dhe nuk dalin nga greva pa u plotësuar kërkesat të bëra prezente edhe ditë më parë në media. Sa më shumë ditët kalojnë aq edhe më shumë gjendja e tyre shëndetësore rëndohet. Thuajse të gjithë grevistët kanë paraqitur sot probleme serioze me tensionin, dhimbje të forta koke, ndërsa në orët e natës dy persona të tjerë janë dërguar në spital dhe pasi kanë marrë shërbim mjekësor janë rikthyer sërish në grevë.

“Gjendja sa vjen e rëndohet, në veçanti gjendja e grave është më e rënduar për arsye se fiziku i tyre është më i lodhur dhe mbrëmë sapo është larguar zonja nga Elbasani Natasha Mencka, e cila kishte komplikacione në veshka”,- u shpreh përfaqësuesja e invalidëve.

Ndërsa, Shpresa njëra prej grevisteve në gjendje të rëndë shprehet “Kam një kontraktim të qafës dhe dhimbje shumë të fortë që po më prek edhe shpatullën. Tensionin e kam të ulët. Në spital më thanë se duhet të marr mjekim për qafën por është aq i fortë, sa pa ushqim nuk e përballon stomaku”, thotë ajo.

Duke iu drejtuar politikës në këtë fushatë elektorale 21 grevistët e urisë kanë kërkuar të qendrojnë jashtë cdo lloj konjekture, ndërsa kanë përsëritur edhe njëherë se kërkesat e tyre janë tërësisht ekonomike dhe se për to duhet të përgjigjet vetëm qeveria.

“Zotërinj të nderuar në jemi futur në grevë vetëm për cështje ekonomike, ju lutem mos e përdorni për show politik protestën tonë. Me ne ka punë vetëm qeveria, të plotësojë kërkesat tona”,- u shpreh një greviste.

Të rënduar nga qëndrimi i gjatë në shtrat, pa ushqim dhe pa ilace aq të rëndësishme për të mundur dhimbjet e paralizës para dhe tetraplegjikët vazhdojnë të mbahen me shpresë se qeveria do të reagojë dhe se në të kundërt do të vazhdojnë grevën me cdo kosto të saj.
(m.a/NEWS24/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: 7 ditë grevë urie Paraplegjikët: Do flijohemi këtu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›