Totenhem do rinovimin e Modriç
Totenhem shpreson të blindojë shërbimet e mesfushorit Luka Modriç me një kontratë të re. Ylli kroat ishte në qendër të spekulimeve rreth transferimit te Çelsi gjatë verës, por ofertat e ardhura u refuzuan nga drejtuesit e Totenhemit. Menaxheri Herri Redknap ka bërë të ditur se presidenti Daniel Levi do të bisedojë me Modriçin rreth një marrëveshjeje të re. “Mendoj se presidenti do të ulet për të biseduar me Lukan rreth kontratës së tij” tha Redknap pas fitores 4-0 ndaj Liverpulit të dielën, ku Modriç realizoi golin e parë. Kroati ka kontratë me Totenhemin deri në vitin 2016.