29 mars 2008- Topalli: Ftesa për anëtarësim në NATO, suksesi më i madh në këto 17 vite, përgjigje e progresit në reforma. Pas Samitit, axhendë e re politike për një reformë të madhe shtetërore.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, iu përgjigj sot interesit të disa gazetarëve të televizioneve shqiptare mbi pritshmëritë e Samitit të Bukureshtit dhe me sfidat që e presin vendin pas këtij Samiti, ku Shqipëria pret të marrë ftesën për anëtarësim në NATO.
Pyetje: Zonja Topalli, Samiti i NATO-s po afron, si e shihni këtë moment, për Kuvendin, Qeverinë dhe shqiptarët?
Në fakt, në historinë tonë 17 vjeçare, kjo është padyshim ngjarja më e madhe historike, suksesi më i madh. Është substanca reale e asaj që shqiptarët kanë pasur si projektin e tyre më të madh. Dhe besoj se, nëse në datën 3 prill ne do të marrim lajmin e marrjes së ftesës së Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë për tiu bashkangjitur Aleancës më të madhe, ky ështe një moment për të cilin të gjithë shqiptarët, pa përjashtim duhet të jenë shumë krenarë. Në fakt, vite më parë edhe për optimistin më të madh, marrja e ftesës për në NATO ishte shumë e largët, gati e pamundur. Besoj se Bukureshti është kësaj radhe vendi ku do të kthehet përgjigja e meritës dhe përpjekjeve 17 vjeçare për të gjithë progresin e realizuar në demokracinë funksionale tashmë në Shqipëri, për reformat e ndërmarra në shtetin ligjor, në forcat ushtarake, në mënyrë të veçantë për kontributin që forcat tona ushtarake kanë sjellë së bashku me misionet e tjera partnere në Afganistan, Irak, në Bosnje. Me marjen e ftesës më 3 prill , dhe besoj se shanset janë shumë të mëdha, kjo do të thotë se marrim përgjigjen e meritës së progresit të reformave por në të njëjtën kohë kjo nënkupton një axhendë të re për politikën shqiptare. Kjo nënkupton detyrime të reja që progresin e arritur gjatë kësaj periudhe, ta avancojmë në atë që unë mendoj se duhet të shihet si një reformë e madhe e shtetit, që nënkupton një demokraci që të përformojë akoma më mirë një ekonomi edhe më solide, një bashkëpunim i forcave politike edhe më i ngushtë në reformat e shtetit, gjë që do të sjellë një sinergji të madhe për shqiptarët dhe do të afronte dhe më shpejt atë që ne e kemi si projektin tjetër të rëndësishëm që është perspektiva europiane . Kjo do të thotë që reformat e realizuara nga Qeveria dhe Kuvendi do të hyjnë në një fazë të re, do të hyjnë në fazën e sfidave të reja dhe të një serioziteti, të një urtësie dhe të një bashkëpunimi, që në mënyrë të veçantë do të formalizohet në Parlament, por që kërkon mbështetjen e lidërve kryesorë të forcave politike në Shqipëri.
Pyetje: Zonja Topalli mendoni se do të ketë një mirëkuptim dhe
bashkëpunim të të gjithë partive politike pas Samitit të Bukureshtit, sepse duket së deri me tani ky mirëkuptim ka qenë në funksion të këtij qëllimi?
Marrja e ftesës nënkupton detyrime të reja dhe sfida të reja. Prandaj thashë se kjo kërkon një axhendë të re politike. Axhenda e re do të thotë bashkëpunim dhe unë besoj tek ky bashkëpunim, sepse besoj në sinqeritetin dhe seriozitetin në artikulimin më një zë të të gjithë forcave politike për perspektivën, integrimin në NATO dhe BE. Në fakt, Samiti i Bukureshtit në përgjigje të gjithë meritës dhe progresit të bërë gjatë kësaj periudhe është sfidë është detyrim, por është dhe një test për të gjithë forcat politike për të çuar përpara këtë bashkëpunim, në atë që unë vazhdoj të insistoj: në domosdoshmërinë e reformës së shtetit. Të gjitha vendet e tjera që kanë ndjekur këtë rrugë kanë kuptuar se sinergjia midis forcave politike është e vetmja rrugë është e vetmja zgjidhje për të bërë të mundur që vendi i tyre të ecë më tej në proceset dhe në sfidat që sjell ky shekull i ri dhe, nuk janë sfida të vogla .Vetë NATO-ja në Samitin e ardhshëm do hapë një debat mbi perspektivën, por dhe mbi sfidat e mëdha që ajo është e detyruar tia njohë vetes, me gjithë partnerët e saj në këtë shekull të ri.
Ajo që unë konsideroj si shumë të rëndësishme për shqiptarët dhe që përjetohet në mënyrë të veçantë dhe me një sens të madh përgjegjësie, por dhe me sensin e meritës, është fakti se të bëhesh pjesë e asaj që është aleanca e lirisë, për shqiptarët në mënyrë të veçantë ka një substancë krejt të ndryshme nga shumica e vendeve të tjera, meqënëse ne lirinë e kemi jetuar më pak se kushdo tjetër gjatë historisë.
Ajo që unë konsideroj si shumë të rëndësishme për shqiptarët dhe që përjetohet në mënyrë të veçantë dhe me një sens të madh përgjegjësie, por dhe me sensin e meritës, është fakti se të bëhesh pjesë e asaj që është aleanca e lirisë, për shqiptarët në mënyrë të veçantë ka një substancë krejt të ndryshme nga shumica e vendeve të tjera, meqënëse ne lirinë e kemi jetuar më pak se kushdo tjetër gjatë historisë.