Tafaj: Partneritet me sindikatat e arsimit
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, ka kërkuar thellimin e partneritetit me sindikatat arsimore në ndihmë të procesit të reformimit e modernizimit të arsimit në vend. Kërkesa e ministrit iu bë kryetarëve të sindikatave të arsimit, Xhafer Dobrushi dhe Bajram Kruja, gjatë një takimi në ambientet e ministrisë lidhur me objektivat e partneritetit social midis palëve, ku i pranishëm ishte edhe zv. ministri, z. Halit Shamata. Z. Tafaj vuri në dukje se bashkëpunimi mes palëve duhet të bëhet më aktiv. Ai shprehu mirëkuptimin dhe gatishmërinë e MASH-it për hartimin e Kontratës së re Kolektive të Punës të nivelit të parë. “Të dyja palët duhet të jenë korrekte dhe të përgjegjshme për zbatimin e dispozitave që do të rrjedhin nga kjo kontratë”, - theksoi ministri Tafaj. Për ministrin e Arsimit e rëndësishme është dhe mbështetja e sindikatave për rritjen e kërkesave ndaj mësuesve, për aftësi më të larta profesionale, pedagogjike e shkencore, në mënyrë që t'u përgjigjemi kërkesave të sotme për një arsim cilësor dhe përfshirjen e tyre si aktorët më të rëndësishëm në reformat e MASH-it. Drejtuesit e sindikatave të arsimit, Federata e Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës dhe Sindikata e Pavarur e Arsimit Shqiptar, e njohën z. Tafaj me angazhimet konkrete të tyre për thellimin e procesit të reformimit e modernizimit të arsimit në vend, me theks zhvillimin e një arsimi cilësor publik, aftësimin profesional të mësuesve, punën që bëjnë sindikatat për uljen dhe minimizimin e numrit të nxënësve që braktisin shkollën etj. Palët kanë rënë dakord për zhvillimin e takimeve periodike për të zgjidhur në proces problemet e përbashkëta.