E Shtunë, 31 Tetor 2026

Manipulimet, 400 mijë euro

Organizimi i zgjedhjeve më 9 janar kushton 400 mijë euro. KQZ është gati për ditën e zgjedhjeve, ndërkaq po akreditohen edhe vëzhgues. Partitë kanë vazhduar të kërkojnë vota edhe të enjten Nga Faton Ismajli më 07 janar 2011 në ora 11:13

Keqpërdorimi i votave në tri komuna të Kosovës u ka kushtuar qytetarëve 400 mijë euro. Kjo shumë parash, e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve më 9 janar, është derdhur të enjten në xhirollogarinë e KQZ’së nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave. Kjo është bërë e ditur nga Kryetari i Komisionit për Buxhet, Betim Gjoshi.

“KQZ ka kërkuar nga MEF një shumë prej afër 400 mijë eurosh për shpenzimet e 9 janarit dhe ka marrë përgjigje pozitive”, ka thënë Gjoshi.
Gjatë ditës është konfirmuar, po ashtu, se janë akredituar rreth dy mijë vëzhgues për të mbikëqyrur procesin zgjedhor.

Komisionerët që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit nuk janë lejuar të riakreditohen, pasi disa prej tyre do të përballen me drejtësinë. Ndërkaq, një listë me vëzhgues ndërkombëtarë ka marrë miratimin e anëtarëve të KQZ’së.
Mirëpo, Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, ka thënë se numri i vëzhguesve mund të rritet, duke e lënë mundësinë e certifikimit deri të shtunën.

Të enjten, KQZ ka publikuar listën e akredituar të vëzhguesve. PDK do të ketë 307 vëzhgues, LDK 224, AAK 130, FER 14, koalicioni AKR-PD-PSD-PPI-PPK-PNDSH-PGJK 6; koalicioni VAKAT 13 dhe LDD 50 vëzhgues.

Po ashtu, OJQ “Ngrite zërin edhe Ti” do të ketë 85 vëzhgues, Parlamenti Europian 2, kurse Misioni i Ekspertëve për Zgjedhje (EUEEM) 5 vëzhgues. Vëzhgues do të ketë edhe nga ambasadat e huaja në vend dhe nga institucionet ndërkombëtare.

Sikurse më 12 dhjetor, edhe këtë të diel në Kosovë do të qëndrojnë anëtarë të Parlamentit Europian, të cilët do të përcjellin përsëritjen e zgjedhjeve në Skenderaj, Deçan dhe Drenas, si dhe në dy vendvotime në Lipjan e Malishevë.

Ulrike Lunacek nga Austria dhe Jutta Steinruck nga Gjermania janë euro-parlamentaret që do ta vizitojnë Kosovën për ta monitoruar procesin e rivotimit.

Edhe pse është kritikuar se ka dështuar, koalicioni i OJQ’ve Demokracia në Veprim ka propozuar mbi 500 vëzhgues për 9 janar.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›