E Diel, 1 Nëntor 2026

72 orët e Debatik Currit, nga altari në fushë me Kombëtaren

Historia Mbrojtësi ka qëndruar vetëm një orë me bashkëshorten pas kurorës, prej impenjimeve me skuadrën kuqezi

Nuk është një histori si të gjitha të tjerat. Në fundjavë, Debatik Curri ka vendosur t’i japë fund beqarisë, ndërsa vetëm 60 minuta pasi lidhi kurorë, ai u nis drejt Shqipërisë për t'iu bashkuar grumbullimit të Kombëtares. Kërkesa erdhi direkt nga trajneri Josip Kuzhe, i cili kërkonte ta kishte me patjetër në dispozicion për sfidën me Malin e Zi në Podgoricë. "Kisha biseduar më parë me trajnerin, e duke pasur parasysh faktin që në fundjavën që sapo lamë pas, kisha dasmën, ramë dakord që të luaja vetëm në një prej dy ndeshjeve miqësore. Nëse do të kishte qenë në dorën time do t'i isha bashkuar skuadrës për sfidën me Andorrën, por trajneri vendosi që të paraqitesha për takimin me Malin e Zi. Të shtunën në mbrëmje bëra ceremoninë, ndërsa 60 minuta pas përfundimit të festës u detyrova të largohesha, sepse ndryshe rrezikoja të humbisja aeroplanin", deklaroi 26-vjeçari. Pyetjes se si ndihet tashmë që është i martuar, ai i përgjigjet me humor: "Ende nuk e di. Nuk arrij ta kuptoj këtë ndjesi të re për mua, pasi kam qëndruar vetëm një orë i martuar". Me fjalë të tjera, Curri e ka kaluar "muajin e mjaltit" mes Durrësit dhe Podgoricës, por duke u stërvitur çdo ditë së bashku me të gjithë shokët e përfaqësueses kuqezi. Prezenca e tij për miqësoren e 2 qershorit në Tiranë kundër Andorrës është në dyshim, pasi mbrojtësi ka prenotuar pushimet me bashkëshorten. Megjithatë vendimi do të merret vetëm pasi skuadra të akomodohet sërish në hotel "Dyrrah" në bregdetin e Durrësit. Curri ka treguar edhe detaje pikante nga festa: "Ishte një dasmë tipike shqiptare, në të cilën morën pjesë 360 të ftuar. Gjithçka shkoi mirë dhe mendoj se të pranishmit ia kaluan mirë". I vetmi që dukej disi në siklet ishte pikërisht lojtari i Kombëtares shqiptare. Por, kjo nuk lidhej me emocionet. Kur caktoi datën, në të cilën do të bëhej dhëndër, Curri nuk e kishte marrë parasysh faktin se Interi i Zhoze Murinjos do të luante në finalen e Champions League, ku fitoi trofeun më të rëndësishëm për klube në Europë dhe shkroi faqen më të lavdishme në historinë e klubit zikaltër. Festa zhvillohej në të njëjtën orë me nisjen e sfidës në "Santiago Bernabeu" të Madridit, por si një tifoz i zjarrtë i Interit, mbrojtësi nuk mund ta linte pa parë përballjen me Bajernin e Mynihut. Të paktën jo përpara se të sigurohej se skuadra e tij e zemrës po shkonte e sigurt drejt fitores. "Qëndrova në dhomë duke ndjekur finalen e Champions-it, ndërsa të gjithë më prisnin mua, në mënyrë që dasma të fillonte. Pavarësisht kësaj e ndoqa pjesën e parë të ndeshjes dhe vetëm më pas iu bashkova të ftuarve”, rrëfen në fund Curri.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›