Kuzhe, në kërkim të një "shkatërruesi"
Me një mbrojtje të "sajuar" me pak lojtarë që luajnë në mënyrë natyrale në këtë repart (mbi të gjitha në qendër) trajneri Josip Kuzhe ka filluar të eksperimentojë me futbollistët, në mënyrë që ta bëjë sa më solide skuadrën në prag të eliminatoreve të Euro 2012. Problemet në fazën difensive, ku nuk janë të pakta rastet ku kuqezinjtë shfaqen të brishtë dhe nuk japin shumë siguri, shtohen edhe prej dëmtimit të kapitenit Altin Lala. Ikona 34-vjeçare e Kombëtares shpreson të rehabilitohet në kohë nga operacioni në gju, për ndeshjen me Rumaninë dhe Luksemburgun, por problemet fizike që kavajasi ka shfaqur në sezonin e fundit, e kanë detyruar drejtuesin e stolit kuqezi që të shqyrtojë alternativat për të bërë "punën e pisët" në mesfushë. Sakrifikimi i Lorik Canës në qendër të mbrojtjes e ka lënë të vetëm Ervin Bulkun. Pas provës jo të suksesshme të Elvin Beqirit në këtë pozicion, tashmë ka ardhur radha e Andi Lilës. Mbrojtësi i Tiranës është testuar në rolin e "shkatërruesit" përballë Malit të Zi, me shpresën se do të jetë një alternativë në formacionin 4-2-3-1 të teknikut kroat.
#