Magjia e Salihit mposht Malin e Zi
Në një distancë prej 64 vitesh, Shqipëria i imponon sërish Malit të Zi diktatin e saj. E kishte mundur 5-0 në 1946 në Shkodër, në të vetmen përballje mes dy skuadrave, e ka bërë edhe dje. Në një ndeshje tërheqëse të kuqezinjve, të cilët kanë dominuar takimin, është Salihi, ai që “shpik” një goditje të mrekullueshme për golin e jashtëzakonshëm, që vendos gjithë fatin e ndeshjes. Josip Kuzhe ka zbritur në fushë një skuadër të vendosur 4-3-2-1, ku në portë ishte Hidi, në mbrojtje, Dallku, Cana, Curri, Agolli, në mesfushë Duro, Bulku, Lila, Skela para tyre, dhe Salihi pak prapa Bogdanit. Pjesa e parë nuk ka shumë emocione, edhe pse Shqipëria është më racionale, administron lojën dhe është më agresive në manovrat sulmuese. është e vendosur më mirë në fushë dhe qarkullon mirë topin, por e ka të vështirë të çajë mbrojtjen malazeze, që duhet thënë se ka qenë reparti më efikas i vendasve për minuta të shumta. Skela i pret krahët Kuzhes, pasi një dëmtim e detyron fantazistin të dalë nga fusha. Në vend të tij futet Hyka, duke riformuluar modulin e lojës së tanëve në 4-4-2. Djemtë e Kuzhes kanë gjithmonë iniciativën e lojës dhe krijojnë shumë aksione, të cilat nuk janë të sakta në finalizime, shpesh edhe sepse mungojnë pasat e fundit. Gjithsesi është Shqipëria, ajo që imponon lojën, mungojnë vetëm rastet. Më aktive është loja në krahun e Duros, nga ku nisin shumica e aksioneve. Kundërshtarët mendojnë më shumë për mbrojtjen dhe në rastet e pakta në kundërsulm, shfaqen vetëm Vukçeviç dhe Vuçiniç përpara një mbrojtjeje solide, ku Cana&Co janë shumë të vështirë për t’u mposhtur. Gjithsesi pjesa e parë nuk ka raste për gol dhe mbyllet në barazim 0-0. E dyta nis me një aksion të malazezve, të cilët kërcënojnë me Vuçiniç, që pas një goditjeje dënimi nuk shënjestron drejt portën. Shqipëria krijon shumë, por sulmuesit tanë kapen shpesh në pozicion jashtë loje. Për të parë impenjimin e parë të njërit nga dy portierëve në fushë, pikërisht atë të shqiptarit Hidi, do të duhet të vijë minuta e 66, me një pritje jo të vështirë. Vetëm tri minuta më vonë, fati i mohon Ansi Agollit golin e avantazhit, pas gjuajtjes së tij nga goditja që për fat të keq përfundon në traversë. Përqindja e qarkullimit të topit është e barabartë, por ndërsa vendasit e luajnë atë më shumë në mesfushën e tyre dhe janë të paqartë përpara, Shqipëria është gjithnjë më e avancuar dhe më e rrezikshme. Loja më e mirë e kuqezinjve merr edhe frytin e saj, por këtë herë falë magjisë së Salihit, i cili realizon një supergol pas një goditjeje të mrekullueshëm nga jashtë zonës, së cilës portieri malazez nuk ka se çfarë t’i bëjë tjetër, veçse ta shoqërojë me një hedhje teksa përfundon në rrjetë, pak poshtë trekëndëshit të majtë të portës së tij. Kuzhe kërkon më shumë dhe hedh në fushë Bakajn për Salihin, Likën për Bulkun, Kapllanin për Bogdanni e Vilën për Lilën. Por minutat në vazhdim nuk premtojnë shumë. Fërshëllima triherëshe e gjyqtarit kryesor i hap rrugën festës së tifozëve kuqezinj nga Shqipëria, Mali i Zi e Kosova, që ishin të pranishëm në stadiumin e Podgoricës. Festa është e ligjshme, sepse Kombëtarja e Kuzhesë premton shumë për të ardhmen.
#